Pompeo thotë se bisedimet afgane ka të ngjarë të vihen në “diskutim”

11/09/2020 16:52

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka thënë se bisedimet e ardhshme për paqen në Afganistan ka të ngjarë të vihen në “diskutim”, por ato janë mënyra e vetme për të arritur paqen.

Pompeo i bëri komentet më 11 shtator ndërsa udhëtonte në Katar, ku është planifikuar të fillojnë negociatat midis talebanëve dhe qeverisë afgane më 12 shtator.

Negociatat po zhvillohen në bazë të një marrëveshjeje që u nënshkrua nga Uashingtoni dhe talebanët më 29 shkurt, e cila synon që të përfundojë luftën dhe të mundësojë kthimin e trupave amerikane në shtëpi, duke i dhënë fund konfliktit më të gjatë të Amerikës.

“Ne presim që të shtunën në mëngjes, për herë të parë pas gati dy dekadash, afganët të ulen në tryezë të përgatitur, për të zhvilluar diskutimet për mënyrën se si ta çojnë vendin e tyre përpara, për të zvogëluar dhunën dhe për të dhënë atë që po kërkon populli afgan – një Afganistan i pajtuar me një qeveri që pasqyron një vend që nuk është në luftë”, tha Pompeo.

Pavarësisht procesit të paqes, dhuna në Afganistan ka vazhduar.

Më 9 shtator, nën-presidenti i parë i Afganistanit, Amrullah Saleh i ka ikur me vetëm disa plagë të lehta asaj që është konsideruar tentim-vrasje ndaj tij. Si pasojë e sulmit kanë vdekur 10 persona.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili garon për rizgjedhje në nëntor, ka thënë vazhdimisht se dëshiron t’i japë fund luftës më të gjatë të Amerikës, e cila filloi pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në SHBA.

Top Channel