Trump pranoi se e ka minimizuar kërcënimin nga koronavirusi

10/09/2020 05:23

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e minimizoi qëllimisht seriozitetin e kërcënimit nga koronavirusi në deklaratat e tij publike gjatë muajve të parë të pandemisë, thuhet në librin e ri të gazetarit veteran, Bob Woodward.

“Doja gjithmonë ta minimizoja”, i ka thënë Trump Woodwardit në një intervistë për librin e tij “Rage”, më 19 mars. “Ende më pëlqen ta minimizoj, sepse nuk dua të shkaktoj panik”, ka thënë Trump. Në një tjetër intervistë më 7 shkurt, Trump ka thënë: “Është më vdekjeprurës se gripi juaj i mundimshëm”.

“Është një gjë vdekjeprurëse”, ka thënë ai. Gazeta Washington Post publikoi të mërkurën fragmente të librit dhe zërin e disa intervistave. “Trump kurrë nuk dukej i gatshëm për të mobilizuar plotësisht qeverinë federale dhe vazhdimisht dukej se i shtynte problemet te shtetet”, shkruan Woodward në libër.

Sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Kayleigh McEnany, tha se presidenti ka dashur të reflektojë qetësi në një kohë të vështirë. “Presidenti kurrë nuk e ka gënjyer publikun amerikan për COVID-19 [sëmundjen që e shkakton koronavirusi]”, ka thënë McEnany në një konferencë për media.

Trump është kritikuar ashpër nga rivali i tij demokrat, Joe Biden, gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale të nëntorit, për menaxhimin e pandemisë, e cila ka vrarë gati 190,000 amerikanë. Në gjithë botën, koronavirusi ka prekur mbi 27 milionë njerëz. Prej tyre, mbi 898,000 kanë humbur jetën dhe mbi 18 milionë janë shëruar./REL

Top Channel