“Rënie katastrofike”/ Raporti tronditës: Bota ka humbur dy të tretat e kafshëve të egra

10/09/2020 12:09

Bota ka humbur dy të tretat e popullatës së saj të kafshëve të egra në më pak se 50 vjet, kryesisht për shkak të aktivitetit njerëzor.

Këtë e pohon World Wilde Fund for Nature, fondi botëror i jetës së egër, që nënvizon rreziqet e një kolapsi të tillë për të ardhmen e njeriut. Mes vitit 1970 dhe 2016, 68 përqind e faunës është zhdukur, sipas indeksit Living Planet, një instrument referimi publikuar çdo dy vite nga WWF.

Shkak kryesor duket se është shkatërrimi i habitateve natyrale, mbi të gjitha për bujqësinë, tendencë që rrezikon të favorizojë pandemi të reja të tipit Covid-19; pasi duke vënë në kontakt njeriun dhe kafshët shtohet rreziku i transmetimit të virusit nga njëra specie te tjetra. Ky tregues, merr në konsideratë rreth 4 mijë specie vertebrorësh të ndarë në rreth 21 mijë popullata kafshësh në të gjithë botën.

Është regjistruar kështu një përshpejtim i ri në rënien e biodiversitetit që në raportin e fundit, të 2018, për periudhën 1970-2014, shkonte në 60 përqind.

“Për 30 vite kemi parë që rënia përshpejtohet në drejtimin e gabuar”, thotë Marko Lambertini, drejtor i WWF, “jemi dëshmitarë të shkatërrimit të natyrës nga ana e njerëzimit dhe kjo është një katastrofë”.

Top Channel