Shën Perterburg, pronarët të shqetësuar nga një ligj i ri për restorantet që shërbejnë alkool

09/09/2020 22:42

Pandemia e koronavirusit ka shkatërruar pjesën më të madhe të pikave verore të argëtimit për të cilin njihet qyteti i dytë më i madh i Rusisë, Shën Petersburgu.

Tani, një ligj i ri i qytetit po e rëndon edhe më tek këtë me ndalimin e shitjeve të pijeve alkoolike në restorantet e vogla. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Ricardo Marquina nga Shën Petersburgu, masa ka për qëllim luftimin e pikave problematike, me çmime të lira në periferi, por gjithashtu po kërcënon qindra lokale të vogla që karakterizojnë qendrën piktoreske të qytetit.

Presioni për të mbyllur restorantet e vogla që ofrojnë pije alkoolike nuk po bëhet nga frika e pandemisë por nga aktivistët e lagjeve si Valentina. Ajo thotë se ajo dhe banorët e tjerë në lagjen e saj në periferi të Shën Petersburgut përballen me zhurmë, përleshje, njerëz të dehur që kryjnë nevojat jashtë natën vonë, duke vështirësuar mundësinë për të fjetur.

“Gjendja nuk është shumë e mirë sepse banorët e apartamenteve që jetojnë në katet e dyta, treta dhe të katërta, i shohin njerëzit e dehur. Zyrtarisht ato duhet të mbyllen në orën 10 të mbrëmjes, por ato nuk mbyllen deri në orën 11”, tha aktivistja Valentina Alexeyevna.

Në përgjigje të presionit të banorëve, zyrtarët e qytetit kanë vendosur të ndalojnë shitjen e pijeve alkoolike në restorante me hapësira më të vogla se 50 metra katrorë.

“Nuk ka vend për t’u ulur, ulëset janë të papërshtatshme, nuk ka tualete. Ka zhurmë. Korridoret përdoren si tualete. Ndonjëherë ka grindje, dhunë dhe abuzim”, tha Denis Chetyrbok, ligjvënës lokal dhe autor i ligjit.

Ligji ka në shënjestër lokalet dhe restorantet e vogla në periferi të qytetit, por pa dashje mund të jetë shkatërrimtar për shumë restorante në qendrën historike të Shën Petersburgut që plotësojnë kushtet për të qenë të hapura, por janë më të vogla se 50 metra katrorë.

Njëri prej tyre është “Piana Yel”, i cili ka qenë i hapur vetëm për një vit dhe po përpiqet të mbijetojë, duke u shërbyer klientëve në hapësirën e tij të vogël, pasi u mbyll për tre muaj për shkak të masave kufizuese kundër koronavirusit. Pronarët dhe personeli thonë se ligji nuk është i drejtë.

“Ky ligj duhet të zbatohet për lokalet e vogla që ofrojnë pije alkoolike në komunitetet me dhoma e gjumit, por jo për ato që janë të veçanta, që kanë aromën dhe stilin e Shën Peterburgut”, tha Carter, një kamarier.

Ligji i ri ka shkaktuar shqetësime në një qytet dikur krenar për klubet e tij të natës.

“Ky ligj është plotësisht i gabuar. Cilësia e një restorante nuk duhet të bazohet në atë se sa metra katrorë është ai. Ka shumë lokale me cilësi të lartë në Shën Petersburg”, thotë Dimitri, pronari i një lokali.

“Restorantet kanë vuajtur shumë nga koronavirusi. Shumë prej tyre janë mbyllur, dhe tani ata miratojnë këtë ligj, i cili besoj se do t’i zhduk 60 për qind të lokaleve, që i japin qytetit shumë ngjyra”, thotë Kristina, banore e Shën Petersburgut.

Pronarët e restoranteve që ofrojnë pije alkoolike janë bashkuar dhe po ushtrojnë trysni mbi zyrtarët e qytetit, në mënyrë që ligji të zbatohet rast pas rasti.

Konflikti mes restoranteve dhe fqinjëve të tyre është një çështje e ndërlikuar në një shoqëri të etur për të dalë dhe për të festuar pas muajve të mbylljes, pasigurisë dhe tensionit./VOA/

Top Channel