Prag katastrofe teksa mijëra refugjatë mbeten të pastrehë nga zjarri në kampin e Lesbos

09/09/2020 20:23

Grupet e bamirësisë në ishullin grek të Lesbos kanë paralajmëruar për katastrofë humanitare në rrugët e Lesbos ku kampi i Morias ishte ende sot duke u djegur. Ndërkohë ato thonin se policia ka ndaluar mijëra emigrantë pa strehim apo ndihmë mjekësore.

Annie Petros, koordinatore e bamirësisë Becky’s Bathhouse, tha se ishte ndaluar nga policia të ndihmonte refugjatët duke i çuar me makinë në spital teksa ishte duke i larguar nga zjarret.

“Kur pamë që kishte rënë zjarr, unë shkova sa më shpejt që munda me ujë te kampi me qëllim të çoja të sëmurët në spital. Nuk mund t’i përshkruaj skenat që pamë aty. Kishte vargje me njerëz, ishin të heshtur, të tmerruar e traumatizuar. Ecnin mes tymit të dendur dhe plastikës që digjej”, thotë ajo.

“Ne morëm me vete disa gra shtatzëna që kishin nevojë për ndihmë urgjente dhe një djalë adoleshent me një këmbë të thyer. Por kur u afruam pranë qytezës Mitilene policia me veshje të rënda kishte bllokuar rrugën që askush të mos hynte në qytet. Unë iu luta komandantit por nuk na la”.

Petros thotë se kaloi në disa rrugë dytësore që i sollën ata në kontakt me grupe anti-emigrantë. Ajo mësoi më vonë se disa refugjatë ishin sulmuar.

Njerëzit që ajo arriti të çojë në spital ishin të vetmit që shpëtuan. “Kishte shumë njerëz që kishin nevojë për ndihmë me djegiet dhe thithjen e tymit”.
Omar Alshakal, ish-refugjat dhe themelues i grupit të ndihmës Refugees4Refugees, tha: “Situata është jashtë kontrolli janë rreth 12 000 njerëz të pastrehë në rrugë, dhe rreth 30 fëmijë të humbur të cilët po i kërkojmë.”

Ai shtoi se ishte i shqetësuar për braktisjen e izolimit të pandemisë. “19 të infektuar që ishin atje janë larguar, ata mund ta përhapin virusin më tej”.

Lexo edhe: https://top-channel.tv/2020/09/09/zjarri-i-nisur-nga-emigrantet-me-covid-19-qe-refuzonin-izolimin-shkaterron-kampin-me-te-madh-te-refugjateve-ne-greqi/

Top Channel