Çermë/ Prej vitesh problem, prindërit kundër klasave kolektive

09/09/2020 13:15

Një përfaqësi e prindërve të nxënësve të shkollës 9-vjeçare “Xhevdet Arapi” në Çermë-Proshk të bashkisë Divjakë kanë kundërshtuar sot vendimin e marrë nga drejtuesit e shkollës për zhvillimin e mësimit në klasa kolektive.

Sipas tyre ky është një problem që ka vite që vazhdon të jetë shqetësues dhe nuk po merr një zgjidhje.

Prindërit nuk janë dakort që një fëmijë i klasës së 1-rë  të mësoj në një ambient me një fëmijë të klasës së 3-të apo një i klasës së 2-të më një të klasës së 4-t. Jo vetëm për shkak të nivelit të moshës por edhe për ruajtjen e distancimit dhe mos grumbullimit për shkak të Covid-19.

Prindërit gjithashtu thonë se numri i ulët i nxënësve ka ardhur si pasojë e regjistrimit në dy shkolla të tjera të nxënësve të kësaj shkolle në kundërshtim me ligjin duke i mbipopulluar këto shkolla.

Numri i ulët i nxënësve që kanë mbetur në këtë shkollë ka bërë që të largohen dy mësues dhe klasat të përshtaten në klasa të bashkuara. Për drejtorin e shkollës gjithçka është në përputhje me ligjin e nxjerrë nga Ministria e Arsimit i datës 12.09.2018,ndërsa për numrin e ulët të nxënësve, drejtori Xhevair Sufja e lidh me largimin në emigracion të familjeve të zonës.

Por bashkimi i klasave në klasa kolektive jashtë kamerës kundërshtohet dhe nga mësuesit . Ai që merr guximin dhe flet para kamerave duke kundërshtuar drejtorin është roja i shkollës .

Aktualisht shkolla 9-vjeçare “Xhevdet Arapi” ka 90 nxënës dhe 10 mësues.

Top Channel