Ambasada në Jeruzalem, pas Serbisë dhe Kosovës në diskutim edhe Bosnjë-Hercegovina

09/09/2020 00:51

Vetëm pak ditë pas arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi në Washington, ku u përfshi dhe vendosja e ambasadave të tyre në Jeruzalem, anëtari serb i Presidencës trepalëshe të Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik kërkoi që të mërkurën të diskutohej nisma për zhvendosjen e ambasadës së Bosnjës nga Tel Avivi në Jerusalem.

Anëtari kroat i saj, Zhelko Komshic, këmbënguli nga ana tjetër që të mbahet dhe seanca e jashtëzakonshme e Kreut Kolektiv të Shtetit mbi propozimin për njohjen e Kosovës. Por REL thotë se asnjëra prej këtyre seancave nuk do të mbahet në kohën e pretenduar; të mërkurën në Bosnje mbërrin zëvendësi i ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, i cili do të takohet me të gjithë anëtarët e presidencës.

Dodik pretendon se Palmer është i informuar rreth iniciativës për të zhvendosur ambasadën e Bosnjes. Komshic e akuzoi për hipokrizi duke thënë se në Bosnje nuk ka njeri që jetë kundër interesave amerikane më shumë sesa Dodik, i cili është nën sanksione të SHBA-së që prej vitit 2017 për mosrespektim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese boshnjake mbi ndalimin e një referendumi.

Palestinezët e shohin Jerusalemin Lindor si kryeqytetin e shtetit të tyre të ardhshëm, dhe ndonëse SHBA zgjodhi ta kalonte ambasadën e saj atje, asnjë vend i BE-së nuk e ka ndjekur një hap të tillë.

Top Channel