Rritet presioni ndaj kancelares Merkel për gazjellësin Nord Stream 2 pas helmimit të Navalnit

08/09/2020 03:22

Politikanët kryesorë gjermanë po i bëjnë thirrje Kancelares Angela Merkel, të heqë dorë nga tubacioni i gazit natyror disa miliarda dollarësh i njohur si Nord Stream 2, që lidh Rusinë me Gjermaninë, për shkak të helmimit të veprimtarit të opozitës ruse Aleksei Navalni.

Ata thonë se Gjermania nuk mund të jetë indiferente ndaj përpjekjes për vrasje dhe se ndalimi i gazsjellësit Nord Stream 2 do t’i dërgonte një mesazh të qartë Kremlinit se fundi ka një kufi. Moska i ka hedhur poshtë pretendimet se autoritetet ruse ishin pas asaj që Berlini dhe qeveritë e tjera perëndimore thonë se ishte përpjekje për vrasjen e Navalnit, i cili të hënën u nxorr nga koma artificiale dhe është në gjendje të përmirësuar shëndetësore, siç tha Spitali Universitar Charité në Berlin, ku ai është shtruar.

Ministri i jashtëm gjerman paralajmëroi Moskën javën e kaluar se projekti i përbashkët i tubacionit nënujor të gazit do të rrezikohet nëse Rusia nuk fillon të bashkëpunojë në një hetim mbi helmimin e aktivistit 44-vjeçar. Navalni u sëmur rëndë muajin e kaluar në një fluturim nga Siberia për në Moskë. Autoritetet gjermane thonë se testet tregojnë se ai është helmuar me një agjent nervor nga grupi i kimikateve Noviçok, të cilat janë të ndaluara sipas një konvente globale të armëve kimike. Zyrtarët britanikë thonë se Noviçok është agjenti i përdorur në një përpjekje të dështuar për të vrarë Sergei Skripalin, ish-agjent i dyfishtë rus, në qytetin anglez të Salisburit në vitin 2018.

Shtëpia e Bardhë e quajti helmimin e Navalnit “plotësisht të dënueshëm”. Ministri i jashtëm gjerman Heiko Maas i tha gazetës së përjavshme Bild am Sonntag: “Shpresoj se rusët nuk do të na detyrojnë të ndryshojmë pozicionin tonë në lidhje me gazsjellësin Nord Stream 2. Nëse nuk do të ketë ndonjë kontribut nga pala ruse në lidhje me hetimin në ditët e ardhshme, ne do të duhet të këshillohemi me partnerët tanë. ”

Ai shtoi: “Ne kemi pritshmëri të mëdha nga rusët për të hedhur dritë mbi këtë krim të rëndë. Nëse ata nuk kanë asnjë lidhje me këtë sulm, atëherë është në interesin e tyre të vendosin faktet në tryezë. ” Gjurmët e Noviçokut u gjetën nga ekspertët në Institutin Bundeswehr për Farmakologji dhe Toksikologji në mostrat e gjakut, urinës dhe lëkurës së Navalnit si dhe në një shishe që ai kishte me vete gjatë udhëtimit të tij nga Tomsk në Moskë. Zyrtarët gjermanë thonë se fakti që u përdor agjenti nervor i ndaluar ndërkombëtarisht, e bën edhe më të mundshme që Kremlini të jetë pas helmimit.

Privatisht ata thonë se marrëdhënia e Gjermanisë me Rusinë do të ndryshojë ndjeshëm si rezultat i helmimit. Por revista gjermane Der Spiegel njofton se zonja Merkel heziton të heqë dorë plotësisht nga projekti Nord Stream 2 dhe po kërkon të bie dakord me partnerët e saj të koalicionit për të vendosur sanksione të tjera. Kjo ka nxitur një debat në prapaskenë brenda qeverisë se cilat sanksione duhen imponuar.

Ata që bëjnë presion për të braktisur gazsjellësin thonë se dëbimi i diplomatëve rusë dhe sanksionet e synuara kundër individëve përgjegjës për aneksimin e Krimesë në 2014 kishin pak efekt politik në Moskë. “Indiferenca e qeverisë gjermane ndaj brutalitetit të Presidentit Putin duhet më në fund të marrë fund”, tha Agnieszka Brugger, nënkryetare e grupit të Partisë së Gjelbër. “Heqja dorë nga Nord Stream 2 do të ishte minimumi,” shtoi ajo. Demokratët e Lirë gjithashtu duan që gazsjellësi të hiqet. Udhëheqësit e Social Demokratëve, partnerë të vegjël në qeverinë e koalicionit të zonjës Merkel, si dhe partnerët e saj konservatorë në Bashkimin Social-Kristian gjithashtu po kërkojnë një rishqyrtim.

Kancelarja gjermane favorizon një përgjigje të gjerë të Bashkimit Evropian ndaj helmimit, por ajo po përballet me rezistencë nga disa qeveri të vendeve të tjera. Ata po argumentojnë se helmimi i zotit Skripal, i cili nxiti një përgjigje të gjerë të BE-së, është i ndryshëm nga ajo që i ndodhi Navalnit pasi vrasja e dyshuar në tentativë nuk ndodhi në tokën e BE-së dhe jeta e qytetarëve evropianë nuk u vu në rrezik. Disa shtete të tjera të Evropës Qendrore do të ishin të kënaqur nëse Nord Stream 2 do të braktisej. Gazsjellësi është planifikuar të zëvendësojë një të vjetër që kalon nëpër Ukrainë dhe Poloni. Nord Stream 2, i cili kalon gati 800 milje përgjatë fundit të detit Baltik, i anashkalon ato. Ndalimi i ndërtimit do t’i pëlqejë gjithashtu Uashingtonit.

Presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi një projekt-ligj vitin e kaluar që përfshinte legjislacionin që vendos sanksione ndaj firmave që vendosin tubacionin për gazsjellësin Nord Stream 2, i cili kërkon të dyfishojë kapacitetin e gazit përgjatë gazsjellësit verior Nord Stream për në Gjermani. Gazsjellësi është gati i përfunduar, por ndërtimi është ndaluar përkohësisht për shkak të sanksioneve të SH.B.A.-së dhe sfidave të tjera ligjore.

Dominic Raab, sekretari i jashtëm i Britanisë, tha dje se ishte “e vështirë të besohej” se Moska nuk ishte e përfshirë në helmimin e Navalnit. “Unë mendoj se është shumë e vështirë të dalësh me një shpjegim alternativ të besueshëm bazuar në historikun e Rusisë … bazuar në vështirësinë e sigurimit, dhe pastaj veprimin me noviçok pasi është një substancë kaq e rrezikshme”, tha ai për rrjetin BBC./VOA

Top Channel