Turqia reagon ndaj Francës për “librin e PKK-së”

07/09/2020 10:49
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Turqisë, Hami Aksoy

Deklaratë nga zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Hami Aksoy në përgjigje të një pyetje rreth ideologjisë separatiste të PKK-YPG, që është përfshirë në librin e histori-gjeografisë për vitin e fundit të gjimnazit në Francë.

Turqia ka reaguar lidhur me ideologjinë separatiste të organizatës terroriste PKK/YPG që ka zënë vend në tekstet shkollore në Francë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Hami Aksoy i është përgjigjur me shkrim një pyetjeje rreth ideologjisë separatiste të PKK-YPG, që është përfshirë në librin e histori-gjeografisë për vitin e fundit të gjimnazit në Francë.

Vihet re se në manualin, i cili pretendohet se është përgatitur nga një shtëpi botuese për t’u përdorur gjatë mësimdhënies në shkollat e mesme në Francë, shprehjet në lidhje me kurdët janë përfshirë në tekst në përputhje me ideologjinë separatiste të organizatës terroriste PKK/YPG.

Është e qartë se kjo propagandë terroriste, e cila është rezultat i politikës zyrtare të Francës, mund të jetë kryer vetëm me guximin e marrë nga ata që mirëpritën të ashtuquajturit përfaqësues të organizatës terroriste në pallatet presidenciale.

Është shqetësuese që Franca preferencat e saj të politikës së jashtme përpiqet t’i ndërtojë në pothuajse çdo temë mbi anti-Turqinë dhe duke bërë këtë ajo po përpiqet tështrembërojë faktet historike dhe ligjin.

Autoritetet franceze i kishin cilësuar si një “përpjekje pushtimi” operacionet tona antiterroriste që synonin garantimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon, të kryera brenda kornizës së respektimit të integritetit territorial të Sirisë. Pas këtyre akuzave të pabaza qëndron zhgënjimi i thellë i shkaktuar nga goditja që u kemi dhënë me operacionin tonë “Burimi i Paqes” planeve për të krijuar një shtet terrorist.

Janë ende të vlefshme pikëpamjet dhe paralajmërimet e përfshira në deklaratat tona të lëshuara më parë në lidhje me insistimin e Francës për të mbështetur një organizatë terroriste, e cila përbën një kërcënim jetik për sigurinë kombëtare të Turqisë dhe gabimin që ajo bën duke i konsideruar njësoj PKK/YPG dhe Kurdët Sirianë.

Është shqetësuese për njerëzimin që politikanët dhe udhëheqësit ambiciozë i kanë thelluar papërgjegjësinë e tyre edhe më shumë duke helmuar brezat e ardhshëm me urrejtje. Paraqitja e dogmave ideologjike dhe interesave politike në librat shkollorë në një mënyrë kaq të shtrembëruar paraqet një rrezik të madh për brezat e ardhshëm. Ne do të vazhdojmë ta ndjekim këtë çështje në mënyrë që ky gabim i bërë në fushën e arsimit të korrigjohet sa më shpejt që të jetë e mundur,- përfundon përgjigjen e tij me shkrim zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Hami Aksoy.

Në kapitullin e titulluar “Kurdët, një komb pa shtet” të librit në fjalë thuhet se “Kurdët janë kombi më i madh në botë që nuk kanë shtet”.

Gjithashtu libri përmban informacion kronologjik mbi të kaluarën e organizatës terroriste dhe separatiste PKK si edhe mbi Peshmergët. Teksti ilustrohet me foto të leckave që simbolizojnë YPG-në, dega siriane e organizatës terroriste dhe separatiste PKK, si dhe foto të terroristëve.

Top Channel