Tensioni me Greqinë në Mesdhe/ Erdogan pret kryeministrin e Libisë

07/09/2020 11:07
Erdogan dhe Kryeministri i Libise biseduan per tre ore.

Sipas njoftimit të Drejtorisë së Komunikimeve të Presidencës, në takimin Erdogan-Sarraj u diskutuan zhvillimet në Libi, marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet rajonale.

Kryeministri i Libisë, Fayez al-Sarraj u prit të dielën në takim nga Presidenti i Republikës, Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan). Takimi u zhvillua në vilën presidenciale “Vahdettin” në Stamboll dhe zgjati 2 orë e 35 minuta. Sipas njoftimit të Drejtorisë së Komunikimeve [të Presidencës], në takimin e Presidentit të Republikës së Turqisë me Kryeministrin e Libisë, u diskutuan zhvillimet në Libi, marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet rajonale. “Zoti President dhe Zoti Al-Saraj zhvilluan një takim produktiv që do të kontribuojë në paqen, sigurinë dhe prosperitetin e popullit libian dhe do të forcojë marrëdhëniet dypalëshe. Presidenti Erdoan tha në takim se Turqia do të vazhdojë të jetë në solidaritet me qeverinë legjitime të Libisë të njohur nga Kombet e Bashkuara dhe përsëriti se përparësia e Turqisë është arritja e stabilitetit në Libi sa më shpejt të jetë e mundur duke ruajtur unitetin politik dhe integritetin territorial. Duke theksuar se paqja dhe qetësia që do të vendoset në Libi do të jenë në të mirë të të gjithë rajonit dhe veçanërisht të vendeve fqinje dhe Evropës, Presidenti Erdoan tha se bashkësia ndërkombëtare duhet gjithashtu të shfaqë një qëndrim parimor në këtë drejtim.

“Ndër të tjera në takim u vlerësuan edhe çështjet që do të forcojnë bashkëpunimin e jetësuar me memorandumet e mirëkuptimit të nënshkruara nga Turqia me qeverinë legjitime të Libisë dhe hapat që do të mbrojnë të drejtat e Turqisë dhe Libisë në Mesdheun Lindor”,- përfundon njoftimi i Drejtorisë së Komunikimeve.
Takimi vjen në një klimë tensioni në Mesdhe mes Turqisë dhe Greqisë. Të dyja vendet janë ndarë duke bërë marrëveshje me palët luftuese në Libi. Turqia bëri marrëveshjen e kufijëve me qeverinë libiane dhe premtoi edhe armë dhe ushtarë në ndihmë të saj, ndërsa qeveria greke bëri marrëveshje me palën tjetër në luftën civile libiane, gjeneralin Haftar drejtuesin e forcave rrebele që duan të rrëzojnë qeverinë libianë. Disa muaj më parë Haftar vizitoi edhe Athinën dhe u takua me ministrin e Jashtëm të Greqisë, Dendias. Në takim Greqia, u tregua e gatshme të çojë forca ushtarake në Libi.

Dendias tha se: I thashë gjeneralit se Greqia është e gatshme të ndihmojë të nesërmen e paqes në Libi, qoftë me forca për të siguruar armëpushimin apo me pjesëmarjen e forcave greke në operacionin evropian në embargon e armëve dhe transportin e mercenarëve nga Libia”. Takimi u bërë para samitit të Berlinit ku u tentua vendosja e paqes mes forcave luftuese në Libi. Ndërkohë që Greqia i kishte bërë thirrje Gjermanisë si vend pritës i samitit, të tregonte se është mbrojtëse e pozicionimit evropian për Libinë duke bërë të qartë se Greqia kërkon anulimin e dy memorandumeve që qeveria e Tripolit ka nënshkruar me Ankaranë, duke përvetësuar sipas saj në mënyrë të paligjshme pjesë të mëdha të ZEE greke në Mesdheun lindor.
Ndërsa gjenerali libian është takuar edhe me kryeministrin Mitsotakis.

Top Channel