Kundër Lukashenkos! Qindra e mijëra vetë në rrugë

07/09/2020 12:09

Turma të stërmëdha bjellorusësh mbushën rrugët e kryeqytetit Minsk duke kërkuar dorëheqjen e Aleksander Lukashenkos duke sfiduar kështu kërcënimin për arrestim dhe një dislokim masiv forcash të sigurisë.

Më shumë se 100 mijë vetë llogaritet të kenë mbushur rrugët e kryeqytetit Minsk në tre fundjavat e shkuara dhe gazetarët e AFP-së thanë se turma e mbledhur në Minsk të dielën në mbrëmje, ishte më e madhe nga të gjitha.

Trupa policie dhe mjete të blinduara ishin vendosur në qendër të qytetit por protestuesit, e të gjitha moshave, nga prindërit me fëmijë e deri tek nxënësit dhe priftërinjtë, u mblodhën në shenjë mosbindjeje. Rreth 250 njerëz u arrestuan në të gjithë vendin, përfshirë 175 në Minsk.

Protestuesit marshuan drejt rezidencës së Lukashenkos, në pallatin e pavarësisë duke thënë se do të vazhdonin të dilnin nëpër rrugë deri sa Lukashenko të jepte dorëheqjen. E ndërsa demonstruesit filluan të shpërndaheshin në mbrëmje vonë, imazhet tregonin njerëz me kapuça, civilë, me shkopinj gome, që ndiqnin dhe rrihnin protestuesit.

Top Channel