Sërish protesta/ Bjellorusi, shtohet presioni mbi Lukashenkon

06/09/2020 16:11

Përkrahësit e opozitës në Bjellorusi i janë rikthyer protestave që vazhdojnë prej më shumë se një muaji duke shtuar kështu presionin mbi presidentin Alyaksandr Lukashenko të dorëhiqet, pas zgjedhjeve presidenciale, rezultati i të cilave u kundërshtua pas akuzave për manipulim.

Lukashenko, që e mban pushtetin prej 26 vitesh me radhë, ka refuzuar të bisedojë me kundërshtarët e tij si dhe ka kundërshtuar thirrjet për zgjedhje të reja. Ai thotë se ka fituar zgjedhjet e 9 gushtit me mbi 80 përqind të votave, ndërkaq opozita këmbëngul se rezultati është i manipuluar. Grupet opozitare po ashtu kanë bërë thirrje për lirimin e të burgosurve politikë dhe për hetim të pavarur të dhunës policore në protestat opozitare.

Liderja opozitare, Svyatlana Tsikhanouskaya, tha se vendi është në krizë të thellë politike. “Bjellorusët kanë ndryshuar, janë zgjuar”, tha ajo një ditë më parë, duke shtuar se se bjellorusët nuk i besojnë qeverisjes aktuale dhe se është e pamundur t’i ndalosh. Protestat kundër Lukashenkos janë sfida më e madhe gjatë të gjithë mandatit të tij si president.

Top Channel