Facebook bllokon të sëmurin e pashërueshëm të transmetojë vdekjen e tij

05/09/2020 19:13

Gjigandi i rrjeteve sociale Facebook ka thënë se do të bllokojë transmetimet direkte të një të sëmuri të pashërueshëm që kërkon të publikojë vdekjen e tij.

57 vjeçari Alain Cocq, kërkonte të transmetonte ditët e tij të fundit teksa sot nisi të refuzojë ujin, ushqimin dhe mjekimet.

Më herët presidenti francez Emmanuel Macron kishte refuzuar kërkesën e tij për eutanasi.

Cocq kërkon ndryshimin e ligjeve në Francë për të lejuar që njerëzit me sëmundje të pashërueshme të vdesin nëse dëshirojnë. Por disa grupe, përfshi dhe Kishën katolike e kundërshtojnë eutanazinë me arsye morale.

“Rruga drejt çlirimit po nis dhe jam i lumtur”, shkruante sot Cocq nga krevati i tij në shtëpinë në Dijon, duke njoftuar se kishte ngrënë “vaktin e fundit”.

“E di që ditët përpara do të jenë të vështira por e kam marrë vendimin tim dhe jam i qetë”.

Ai vuan nga një sëmundje e rrallë degjenerative e cila bën që muret e arterieve të gjakut të bashkohen.

Cocq tha se Facebook ka bllokuar transmetimet e tij deri me 8 shtator dhe i kërkoi mbështetësve të lobojnë në mediat sociale për ndryshimin e qëndrimit.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel