Ekspozohet një prej dorëshkrimeve origjinale me pasazhe shqip të Nënë Terezës

04/09/2020 20:14

Në përvjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës, u ekspozua në COD një prej dorëshkrimeve origjinale të saj me pasazhe në shqip.

“Zemra jeme ka ni dishir të madhe me ardh në Shqipni”, shkruan Nënë Tereza në letrën për autoritetet shqiptare, ku kërkonte të prekte tokën e atdheut që gjithë jetën e mbajti në zemër.

Kryeministri Edi Rama tha gjatë fjalës së tij të mbajtur në ceremoninë e organizuar me këtë rast se trashëgimia që Shën Tereza na la dhe porosia e saj për të ndezur një qiri në vend se të mallkojmë errësirën: “Për ta mbyllur me atë që është brenda kornizës së kësaj ekspozite dua të shtoj se letra e saj e tetorit 89 ka qenë e papërpunuar në arkivin qëndroj të shtetit si pjesë e fondit të papërpunuar të Ramiz Alisë dhe përpunimi i gjithë ish-arkivit qendror të asaj kohe ishte një prioritet që përfundoi si një prioritet i realizuar vetëm në vitin ku ne jemi. 30 vjet për të, thjesht përpunuar një thesar informacioni dhe një burim faktik për të gjithë ata që duan ta studiojnë atë pjesë të historisë sonë duke iu referuar dokumenteve autentikë, ndër të cilat dhe këto letra, kur ajo e tetorit praktikisht vetëm tani së fundmi bëhet e njohur.

Dy letrat e tjera e janarit ‘90 dhe e gushtit ‘89 njihen gjerësisht por dua të prek prej asaj të gushtit, fjalët e Nënë Terezës me të cilat shpresoj të mund të mbyllet bukur ky moment që po ndajmë së bashku, shkruar më 16 gusht kur ajo i kërkon presidentit të kohës të mundë të sjellë në Shqipëri të paktën 4 prej motrave të saj misionare të bamirësisë për t’u dhënë ngrohtësi, dashuri dhe kujdes pleqve, të vetmuarve duke thënë ‘unë nuk kam as ar dhe as argjend por juve do iu jap motrat dhe shpresoj që së bashku do të bëjmë diçka të bukur për Zotin dhe për popullin tonë”, deklaroi Rama.

Top Channel