Athina rrëzon NATO-n: “S’ka bisedime me Turqinë”, por Mitsotakis e bën një hap prapa!

04/09/2020 13:45

Athina i mohoi pretendimet e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg sipas të cilit Greqia dhe Turqia u pajtuan me idenë e bisedimeve teknike si mënyrë për të shtensionuar situatën në Mesdheun Lindor.

Burime diplomatike greke thanë për Euractiv se e vetmja mënyrë që të ulen tensionet, është tërheqja e anijeve turke nga ujërat greke. Paskësaj, vetë kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, doli me deklaratën se Ankaraja duhet të ndalë “kërcënimet”. Ai shtoi se ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, do të informojë më vonë Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres mbi “veprimtarinë e paligjshme” të Turqisë. Stoltenberg, më herët pat thënë se të dy aleatët e NATO-s kishin “rënë dakord të fillojnë bisedime teknike në NATO për të krijuar mekanizma që do të zvogëlonin rrezikun e incidenteve në Mesdheun Lindor”.

Tensionet mes dy vendeve janë pershkallezuar qe prej 10 gushtit kur Turqia dërgoi anije kërkimore dhe ushtarake në Mesdhe. Greqia dhe Qipro pretendojnë se ky veprim ka shkelur sovranitetin e tyre. Athina u përgjigj duke organizuar stërvitje detare me disa aleatë të BE-së dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Bashkimi Europian ka kërkuar vazhdimisht nga Turqia të ndalojë aktivitetet e kërkimit duke kërcënuar me vendosje të sanksioneve ndaj Ankarasë nëse ajo nuk pranon të zgjidhë mosmarrëveshjen përmes dialogut.

Top Channel