Nëna vret pesë fëmijët dhe hidhet para trenit në Gjermani

03/09/2020 16:55

Në një zhvillim tragjik të orëve të fundit nga Gjermania, një nënë raportohet se ka vrarë pesë fëmijë të saj dhe është larguar me të birin e madh për t’u hedhur para trenit.

Trupat e pesë fëmijëve u gjetën në një shtëpi në Solingen. Viktimat besohet se janë një vjeç, dy vjeç, tre vjeç, gjashtë vjeç e tetë vjeç.

Policia bëri zbulimin tragjik në një ndërtesë apartamentesh dhe nga pamjet shihej që në skenë ishin shërbimet e emergjencës.

E përditshmja Bild, tha se gjyshja e fëmijëve kishte njoftuar në polici për të thënë se vajza e saj kishte vrarë pesë nga fëmijët e saj dhe ishte larguar me të birin tjetër.
Më vonë nëna raportohet se ishte hedhur para një treni por megjithë plagët e renda kishte mbijetuar.

Raportimet thonë se fëmija 11-vjeçar që ishte me të nuk është lënduar, dhe është tashmë me gjyshen.

Shkaqet e vdekjeve nuk janë bërë ende publike.

Një nga rezidentët e shokuar tha: “U tmerrova nga lajmi se 5 fëmijë janë gjetur të vdekur këtu”.

Një zëdhënës i policisë tha për mediat: “Hetimet po vazhdojnë dhe për momentin nuk mund të shtojmë gjë tjetër. trupat e pajetë u gjetën në një apartament në rrugën Hasselstrasse në Solingen.”

Top Channel