Zgjedhjet/ Yuri Kim letër Ramës, Bashës e Kryemadhit: Mbani përgjegjësi për pastërtinë e kandidatëve

01/09/2020 12:33

TIRANË– Ambasadorja Yuri Kim me anë të një letre drejtuar krerëve të partive kryesore në vend, Ramës, Bashës dhe Kryemadhit, kërkon  “pastërti” për Kuvendin e ardhshëm.

Ambasadorja e SHBA në Shqipëri, Yuri Kim u ka kërkuar liderëve politik politike të mbajnë përgjegjësi për kandidatët për deputetë, që të mos preken nga ligji i dekriminalizimit.

“Ju jeni përgjegjës për kandidatët e ardhshëm. Inkurajojmë gjithë partitë të kontrollojnë kandidatët dhe të kandidojnë vetëm ata që respektojnë votuesit shqiptarë. SHBA do të vijojë që të luftojë korrupsionin dhe do të qëndrojmë krah atyre zyrtarëve që e luftojnë” shkruhet mes të tjerave në letër.

Letra e Yuri Kim vjen në prag të nisjes së përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ndërkohë ditën e sotme, Presidenti Meta u ka kërkuar Lulzim Bashës dhe Edi Ramës takim të njëpasnjëshëm ditën e premte në Presidencë për tu konsultuar për datën e zgjedhjeve.

Letra e Yuri Kim: 

“Më 22 korrik ne nënvizuam publikisht se udhëheqësit e partisë janë përgjegjës për kandidatët që garojnë nën logon e partisë.  Ndërsa partia juaj përgatitet për fushatën zgjedhore, ju si udhëheqës i partisë, duhet të siguroni pajtueshmërinë me ligjin shqiptar.

Ne inkurajojmë të gjitha partitë politike të bëjnë veting për kandidatët dhe të kandidojmë vetëm ata që janë të kualifikuar dhe respektojnë votuesit shqiptarë.
Ndërsa individi është përgjegjës të deklarojnë historinë e tyre kriminale, udhëheqësit e partive duhet të sigurojnë integritetin dhe vërtetësinë e deklaratave të atyre që kërkojnë funksione nën siglën e tyre.

Ligji i Dekriminalizimit përcakton se personat e dënuar, të ndjekur penalisht ose me rekorde penale në Shqipëri ose jashtë, nuk kanë të drejtë të emërohen në poste publike, d.m.th. të zgjedhur nga qytetarët, ose të emëruar në poste brenda administratës publike, ose institucioneve të përcaktuara në Kushtetutë ose akte të tjera ligjore.

Çdo falsifikim ose mosdeklarim mund të përbëjë një vepër penale që i nënshtrohet dënimit sipas legjislacionit penal. Në përputhje me Ligjin e Dekriminalizimit, disa deputetë dhe kryetarë të bashkive ose kanë dhënë dorëheqjen ose janë shkarkuar, dhe të tjerët janë hetuar.
Siç e dini, Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të luftuar korrupsionin dhe qëndrojnë me këdo që kërkon të ndalojë zyrtarët e korruptuar të veprojnë në mënyrë të paligjshme dhe pa u ndëshkuar.

Ne do të vazhdojmë të përcaktojmë individë të përfshirë në korrupsion të rëndësishëm sipas nenit 7031 (c) gjatë afishimit vjetor. Ju mund të luani një rol në këto përpjekje duke i mbajtur këta individë të njohur, të korruptuar jashtë listës suaj të partisë.
Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë Shqipërinë si një mik, partner dhe aleat të NATO-s.

Ne gjithashtu mbështesim fuqimisht aspiratën e Shqipërisë për t’u bashkuar me BE. Ne mbështesim dëshirën e popullit shqiptar për qeverisje të mirë nga përfaqësuesit e tij në parlament, në përputhje me dëshirën e tij për një demokraci më të mirë, udhëheqës më të mirë dhe një të ardhme më të mirë. Sinqerisht, Yuri Kim Ambasador, thuhet në letrën e Yuri Kim

Top Channel