Zgjedhjet këtë herë do të vijnë më shpejt.
Në ndryshimet që iu bënë Kodit Zgjedhor u vendos që periudha zgjedhore të jetë nga 15 Prilli në 15 Maj, ndërsa ditën e votimit e cakton Presidenti jo më vonë se 9 muaj para mbarimit të mandatit të Kuvendit. Kësisoj, Ilir Meta ka vendosur të thërrasë në konsultim krerët e partive politike kryesore në vend për të caktuar një datë zgjedhje.
Sipas shkresave të mbërritura në zyrën e Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, kreu i shtetit i pret në takim ditën e premte ë ora 11.00, Kryeministrin në fillim si kryetari i partisë më të madhe në vend dhe më pas Lulzim Bashën në ora 12.00. Socialistët në takimin me kreun shtetit me shumë mundësi do të shkojnë me një datë me vete, pasi ata kanë përzgjedhur publikisht 9 Majit, ditën e fitores kundër fashizmit, e cila njihet edhe si dita e Europës. Demokratët pritet te shkojnë në tryezën e Presidentit pa preferenca. Pas konsultave, Ilir Meta pritet të caktojë një datë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Por çfarë do të thotë kjo? Praktikat e mëparshme zgjedhore tregojnë se pas caktimit të datës së Zgjedhjeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nis punën për organizimin e procesit zgjedhor. Këtu lind edhe ngërçi i parë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kjo për shkak se vetë KQZ-ja nuk ekziston. Marrëveshja politike e 5 qershorit përcaktoi shkrirjen e këtij institucioni dhe ndarjen në tri hallka si edhe zgjedhjen e anëtarëve të rinj në tri hallkat. Kuvendi ka hapur garën, ndërkohë përgatitjet për zgjedhjet pritet te mos nisin para 19 tetorit, ditë kur vendi pritet te ketë një Komision të ri Zgjedhjesh.
Elda Menga
Top Channel