Franak Viaçorka, gazetar dhe aktivist nga Bjellorusia dhe njëkohësisht djali i Vinçuk Viaçorkës, politikanit opozitar të presidentit Aleksandër Lukashenkos, në një intervistë për Top Channel, tregoi për situatën dinamike që po zhvillohet në vendin e tij.
Intervista e plotë
Zoti, Viaçorka, si paraqitet situata aktuale në Bjellorusi?
Është një situatë e cila ndryshon gjatë gjithë kohës. Po shohim protesta të mëdha në Minsk dhe në rajone të tjera. Të dielën dhe të shtunën, më shumë se 260 mijë persona erdhën në pallatin presidencial, për të kërkuar dorëheqjen e presidentit Lukashenko, i cili po e drejton këtë vend prej 26 vitesh. Këto protesta kanë tre javë që vazhdojnë dhe njerëzit nuk po dorëzohen. Ata vërtetë besojnë që është e mundur për një ndryshim dhe mendoj që Bjellorusia kurrë nuk e ka parë një situatë të tillë dhe Lukashenko është vërtetë përballë problemeve të mëdha.
Si e shikoni faktin që presidenti Lukashenko nuk do që të dorëhiqet dhe faktin që ai është parë edhe me armë në dorë?
Nuk njoh ndonjë diktatorë në histori, i cili ka qenë gati për të lënë postin e tij. Vullneti i tyre është që ata duan që të qëndrojnë në pushtet. Dhe presidenti Lukashenko për 26 vite ka ndërtuar një sistem tërësisht vertikal, në mënyrë që të ruante veten. I gjithë sistemi qeverisës punon për të. E ka ndërtuar çdo gjë për vete dhe për të pasur fuqinë dhe kontrollin. Ai demonstron kallashnikovin kur do që të drejtojë njerëzit apo kur flet me ushtarakët, pasi do që të tregojë fuqinë e tij brutale, pra që është shumë i fuqishëm. Dhe ky nuk është një mesazh që ai ua jep njerëzve të thjeshtë apo protestuesve, është një mesazh për policinë, për ushtrinë. Pasi ushtria shikon Lukashenkon me armë dhe sigurisht mendon që ai është udhëheqësi i tyre dhe duhet që ta mbështesim. Ky është një demonstrim force, por nuk mendoj që vlen më Bjellorusët, pasi ata e dinë që autoritetet tashmë po luajnë bllofin dhe po gënjejnë.
A i frikësoheni, një përplasjeje më të madhe mes protestuesve dhe shtetit?
Kam frikë që situata do të agravojë me tej dhe do të ketë përplasje të tjera të cilat do të vazhdojnë. Ditët e para pas zgjedhjeve patëm një numër tepër të lartë të cilët u rrahën nga policia dhe me shumë se 6 mijë të arrestuar. Dhe ne kemi prova që janë bërë tortura, kur protestuesit i futën në burg. Kemi prova që ka pasur përdhunime në burg dhe mesa duket presidenti Lukashenko nuk do që të ndalojë. Nëse ai dhe familja e tij do të ndihen të kërcënuar, ai me gjasë do të jap urdhër për brutalitet dhe e vetmja gjë që mund ta ndal tashmë Lukashenon, janë protestat paqësore. As policia dhe as ushtarët, të cilët shohin mijëra gra që marshojnë nëpër rrugë, nuk mund të bëjnë asgjë ndaj tyre. Mendoj që është e vështirë që Lukashenkon ta mundësh me forcë. Mendoj që vetëm karakteri paqësor i protestave mund ta ndal këtë lloj force. Sigurisht na duhet një mbështetje e huaj. Është e rëndësishme për bjellorusët që të ndihen të lidhur me qytetërimin Evropian. Sepse ky nuk është vetëm revolucioni kundër diktatorit, por është revolucioni për vlerat e lirisë, për institucione demokratike dhe respektimi i të drejtave të njeriut.
Si e shikoni iniciativën e kreut të OSBE-së, zotit Edi Rama, për të ulur të dyja palët së bashku?
Në një botë perfekte kjo do të ishte më e mira. Pra që të ulnim së bashku presidentin Lukashenko dhe drejtuesen e opozitës, Svetlana Tikhanovskaya, e cila potencialisht mund t’i fitonte këto zgjedhje, por ne ende nuk e dimë se sa vota mori ajo. Pra palët duhet të uleshin për të negociuar, por është e pamundur, pasi presidenti Lukashenko nuk do që të bëjë asnjë lloj negociate. Ai mban armë në dorë, thotë që do të luftoj deri në fund, ai thotë që të gjithë protestuesit janë minj. Pra sic duket, pozicioni i tij është si i një terroristi që mban pengje dhe u thotë, ose unë do të fitoj ose do t’i vrasë të gjithë. Dhe në burg ka qindra mijëra të burgosur që mbahen peng. Dhe nuk ka vend për dialog për sa kohë këta njerëz po mbahen pas hekurave. Bjellorusia ka një diktaturë të ashpër. Sigurisht nuk është si Koreja e Veriut apo Turkemistani, por po bëhet me keq dita-ditës. Dhe kam frikë që nëse kjo kryengritje tani, nuk do të de-konsolidojë, aparatin shtetëror dhe sistemin vertikal qeverisës, Bjellorusia do të kthehet Kroeja e veriut në Europë.
Andi Bora
Top Channel