Ceremonia e Çmimeve “MTV Video Music Awards 2020” këtë vit u zhvillua pa spektatorë për shkak të pandemisë së koronavirusit, por padyshim që të nominuarit dhe fituesit meritonin të gjithë duartrokitjet.

Shfaqja u mbajt mbrëmjen e 30 gushtit në Nju Jork dhe ishte një natë e mbushur me larmishmëri performancash përfshirë grupin koreano-jugor BTS të cilët bënë debutimin e tyre të parë me këngën e re Dynamite.

Ndërkohë, për sa i përket nominimeve, mbizotëruan Ariana Grande dhe Lady Gaga me nëntë kandidatura secila, ku njëra prej tyre ishte edhe bashkëpunimi i dyshes së famshme “Rain On Me”, fitues i 3 çmimeve: e këngës më të mirë, bashkëpunimit më të mirë e kinematografisë më të mirë.

Dy ikonat e muzikës Pop, së bashku me BTS, vërtetuan se është e pamundur t’i mundësh, me mbi 4 çmime të fituara secili.

Ajo që vlen për t’u theksuar është se Gaga hyri në historinë e MTV Video Music Awards duke çuar në shtëpi çmimin e parë “Tricon”, që nënkupton të qenurit ikonë në tre fusha, muzikë, aktrim dhe modë.

The Weeknd, i cili hapi edhe shfaqjen me performancën e hitit të tij “Blinding Lights” rrëmbeu çmimin e videoklipit më të mirë të vitit, të po së njëjtës këngë.

Taylor Swift, Doja Cat, dhe Maluma ishin disa nga këngëtarët që fituan gjithashtu çmime, përkatësisht për drejtimin më të mirë, artistes së re më të mirë dhe videoklipit më të mirë latin.

“VMA 2020” do të mbahet mend gjatë pasi këtë vit u prezantua për herë të parë nga një grua me ngjyrë, ylli i filmit ‘Hustlers’, Keke Palmer.

FOTO GALERI
1/12

Top Channel