Juventusi ka zyrtarizuar blerjen e Weston McKennie. Mesfushori mbërrin nga Schalke 04 në formë huazimi për 4.5 milionë euro me të drejtën e blerjes për 18.5 milionë (në tre vjet), e drejtë që mund të kthehet në detyrim “nëse arrihen objektivat e caktuar sportivë”. Shifra për blerjen përfundimtare të lojtarit, sipas njoftimit për shtyp të Juventusit, mund të rritet në 25.5 milionë me arritjen e objektivave të mëtejshëm.
I lindur në vitin 1998, mesfushori i gjithanshëm teksan vjen nga një sezon pozitiv, përkundër periudhës së vështirë që përjetoi klubi nga Gelsenkirchen. Ai nuk është një shënues i spikatur (3 gola në 28 paraqitje të Bundesligës në sezonin që sapo ka përfunduar), por dinamizmi dhe forca fizike e bëjnë atë një nga rikuperuesit më të mirë të topit mes të rinjve nën 21 vjeç.
Nga ana tjetër, një nga kërkesat e para të Andrea Pirlos ishte që lojtarët të ishin gati të rifitonin posedimin e shpejtë të topit dhe McKennie duket se është njeriu i duhur për këtë detyrë.
Top Channel