Ylli i filmit “Black Panther”, Chadwick Boseman vdes në moshën 43-vjeçare

29/08/2020 10:00

Aktori Chadwick Boseman, i cili luajti rolin ikonik në filmin Black Panther të realizuar nga media amerikane Marvel Cinematic Universe, ka vdekur nga kanceri të shtunën herët në moshën 43 vjeçe.

Në një deklaratë në llogarinë e Boseman në Twitter është shprehur “pikëllim i pafund” për vdekjen e aktorit dhe thuhet se ai u diagnostikua për herë të parë me kancer të zorrës së trashë në fazën e tretë në vitin 2016, duke luftuar për katër vitet e fundit, por fatkeqësisht, sëmundja kaloi në fazën katër.

“Ishte nder i karrierës së tij të sjellë në jetë mbretin T’Challa në Black Panther”, theksoi më tej deklarata.

Publicisti i Boseman, Nicki Fioravante, gjithashtu në një deklaratë tha se aktori vdiq në shtëpinë e tij në zonën e Los Angeles-it me gruan dhe familjen pranë tij.

“Një luftëtar i vërtetë, Chadwick ishte këmbngulës përkundër të gjithave dhe ju solli shumë nga filmat që ju keni dashur aq shumë. Nga Marshall deri te Da 5 Bloods, Ma Raineys Black Bottom të August Wilsons dhe disa të tjerë, të gjithë u filmuan gjatë dhe midis operacioneve të panumërta dhe kemoterapisë”, thuhet gjithashtu në deklaratë.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel