“Lapraka” me fushë të re sportive, Veliaj: Së shpejti përfundojnë dy shkollat e reja

29/08/2020 10:07

Premtimi u mbajt, fusha jofunksionale dhe e amortizuar e Laprakës, e cila nga administrata e kaluar ishte zgjedhur si vend ndërtimi për pallate, iu kthye banorëve të zonës, si një mjedis për stërvitjen e fëmijëve dhe kampionëve të ardhshëm të qytetit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se transformimi rrënjësor i fushës, në mjediset brenda dhe jashtë saj, është fryt i punës së palodhur gjatë verës. Ai rikujtoi kohët kur thuhej se aty do të ndërtoheshin pallate.

“Një duartrokitje për të gjithë ata që besuan se bashkia do e mbante fjalën, se fusha do u kthehej banorëve, se këtu nuk do të bëheshin pallate dhe se këtu do rrisim kampionët e Laprakës, Tironës dhe gjithë Shqipërisë. Jam shumë mirënjohës që në një vend të vështirë si Shqipëria, si Tirana, ku të gjithë i shohim gjërat me dyshime, ku të gjithë jemi cinikë, jemi skeptikë, ku mendojmë se çdo gjë është me të futme, treguam se nuk është kështu. Në këtë Bashki gjithmonë është interesi publik më i rëndësishëm se sa interesi privat”, nënvizoi Veliaj.

Duke vënë theksin se kjo fushë e re do të ndikojë drejtpërdrejtë në shëndetin dhe mirërritjen e fëmijëve të Laprakës, Veliaj theksoi se pavarësisht ndasive politike, vijojnë investimet për punët e mira të nisura në këtë zonë, ku vetëm para pak kohësh u inaugurua edhe kinemaja e famshme “Maks Velo”.

“Jam i bindur se këtu ka disa që janë me Tiranën, ka ca që janë me Partizanin. Ka ca që janë të majtë, e ca që janë të djathtë. Ka disa që janë ‘den baba den’, ka disa që kanë ardhur nga qytete të tjera. Por, ata që na bashkojnë është janë fëmijët, interesi i së ardhmes, dhe për këtë jemi të gjithë njësoj si qytetarë të Tiranës. Ne besojmë që përtej bindjeve, përtej tifozerisë, përtej vendit nga vijmë, përtej mbiemrit, përtej testerës së partisë, janë familjet tona dhe janë fëmijët tanë. Mezi pres që ne të vazhdojmë punët e mira që kemi nisur në Laprakë”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku u shpreh se ndërkohë vijon edhe ndërtimi i dy shkollave të reja, që shumë shpejt do të jenë gati për fëmijët e Laprakës.

“Kemi mbajtur çdo fjalë që kemi thënë për Laprakën para 5 vitesh. Edhe për shkollat e reja. Po bëhet shkolla e re në “Don Bosko”, po bëhet shkolla e re tek rrethrrotullimi “Shqiponja”. E kemi mbajtur fjalën edhe për fushën, edhe për kinemanë, edhe për ndërhyrjet në çdo lagje. Jam i bindur se e mira s’ka fund”, u shpreh kryetari i Bashkisë.

Në përfundim të fjalës së tij, Veliaj tha se kampionët e ardhshëm do t’i kenë fillimet në këto fusha sporti, si në Farkë, ku disa ditë më parë u përfundua një tjetër investim i ngjashëm, ashtu edhe në Laprakë.

Fusha e vjetër e Laprakës është rehabilituar dhe tashmë ka funksionin e një fushe sipas standarteve sportive. Ndërtesa e vjetër pranë fushës është shembur për t’u ndërtuar një e re me të gjitha kushtet e nevojshme, për ata që do e aksesojnë. Godina është e pajisur me nyje sanitare, shërbime për trajnerët e lojtarët dhe depo materiale sportive në funksion të stërvitjes në fushë. E gjithë fusha është rrethuar e sistemuar edhe në zonat përreth me gjelbërim.

FOTO GALERI
2/8

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA