Selena Gomez rikthehet “fuqishëm”, bashkëpunim me grupin koreano-jugor!

28/08/2020 14:17

Beteja me sëmundjen e lupusit që në 2013-ën, transplanti i veshkës në vitin 2017, lufta me ankthin e depresionin si edhe ndarja me Justin Bieber, ndikuan negativisht në gjendjen fizike e emocionale të Selena Gomez.

Pavarësisht se në janar këngëtarja lançoi albumin e saj të ri “Rare” dhe po punon për linjën e saj të kozmetikës “Rare Beauty”, ylli i “Lose you to love me” herë pas herë ka shqetësuar fansat, duke mos shfaqur shumë entuziasëm në intervista.

Megjithatë, duket se që pas rikthimit plot energji në Instagram një muaj më parë, gjërat kanë ndryshuar pozitivisht për 28 vjeçaren.

Këtë të premte, grupi më i famshëm koreano-jugor i momentit “BLACKPINK” ka publikuar bashkëpunimin muzikor me Gomez, “Ice Cream”.

Në videoklipin e këngës tepër ritmike e energjike, Selena dhe grupi i vajzave shfaqen me veshje të frymëzuara nga vitet 1950 dhe 1970.

Skenat e këngëtares amerikane më sensacionale se kurrë, duke performuar në një makinë akulloresh, janë regjistruar në SHBA për shkak të pandemisë.

“Ice Cream” ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve duke tejkaluar shifrën e 36 milionë klikimeve në Youtube pa kaluar ende 24 orë që nga momenti i publikimit të këngës.

FOTO GALERI
3/9

Top Channel