Shefja e opozitës: Bjellorusia tani është zgjuar

26/08/2020 02:40

Sfiduesja e presidentit të Bjellorusisë, Svyatlana Tsikhanouskaya, u tha ligjvënësve europianë se vullneti i popullit bjellorus për demokraci “nuk do të thyhet” nga dhuna pas-zgjedhore që bëjnë autoritetet në Minsk.

“Bjellorusët kanë treguar gjatë dy javëve të kaluara se nuk do të dorëzohen, përkundër shtypjes, frikësimit me forcë dhe kërcënimeve me burgim”, i tha Tsikhanouskaya Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, përmes një video-lidhjeje nga Lituania. Ajo u vendos atje pas zgjedhjeve presidenciale të 9 gushtit, për shkak të, siç u raportua, kërcënimeve që ajo dhe familja e saj kanë marrë.

Presidenti Lukashenko, i cili e ka udhëhequr vendin Bjellorusinë qe prej vitit 1994, ka shprehur vendosmërinë për të qëndruar në pushtet, pavarësisht protestave kundër rizgjedhjes së tij, që zgjasin për më shumë se dy javë. Organizatorët e protestave bënë thirrje për një tubim tjetër për të festuar përvjetorin e shpalljes së pavarësisë së Bjellorusisë nga Bashkimi Sovjetik, në 1991. Kjo festë është shfuqizuar nga Lukashenko pasi ka marrë pushtetin, 26 vjet më parë.

Duke thënë se të paktën gjashtë protestues bjellorusë janë vrarë në përleshje me policinë dhe se dhjetëra janë dërguar në paraburgim, Tsikhanouskaya kërkoi “respekt për të drejtat politike” dhe “lirimin e të gjithë të burgosurve politikë” në vend.”Bjellorusia është zgjuar. Ne nuk jemi më opozitë. Tani jemi shumica”, u tha Tsikhanouskaya ligjvënësve europianë, duke shtuar se mbi 200,000 njerëz dolën në rrugët e Minskut në protestën e 23 gushtit.

Top Channel