SHBA, shqetësim për raportet gjermane se Navalny është helmuar

26/08/2020 03:42

Shtetet e Bashkuara thanë se janë thellësisht të shqetësuara nga konkluzionet paraprake të raportuara nga ekspertët mjekësorë gjermanë se aktivisti i opozitës ruse Aleksey Navalny ishte helmuar. Sekretari i shtetit Mike Pompeo tha në një deklaratë se “nëse raportet rezultojnë të sakta, Shtetet e Bashkuara mbështesin thirrjen e BE për një hetim gjithëpërfshirës dhe janë të gatshme të ndihmojnë në këto përpjekje.”

“Familja e Z. Navalny dhe populli rus meritojnë të shohin një hetim të plotë dhe transparent, dhe që personat e përfshirë të vihen përpara përgjegjësisë.” Komentet e zotit Pompeo vijnë pas deklaratave të bëra të martën nga Kremlini se tani për tani nuk ekziston nevoja për të hetuar rrethanat që çuan në sëmurjen e papritur të politikanit të opozitës Alexei Navalny dhe se diagnoza fillestare për helmim e dhënë nga një klinikë gjermane ende nuk është përfundimtare. Kancelarja gjermane Angela Merkel i bëri thirrje të hënën Rusisë të hetonte helmimin e dyshuar të zotit Navalny dhe për të mbajtur autorët përgjegjës. Komentet e saj erdhën pasi mjekët gjermanë gjetën shenja të një lënde helmuese në trupin e tij.

Por zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se klinika gjermane nuk e kishte identifikuar përfundimisht lëndën në fjalë dhe se nuk ishte e qartë se përse mjekët gjermanë “nxituan” të përdornin fjalën helmim. “Duhet të kesh një arsye për të nisur një hetim. Për momentin, si ju ashtu edhe unë shohim se pacienti është në gjendje kome,” u tha zoti Peskov gazetarëve në një konferencë telefonike. Ai shtoi se nëse helmimi përcaktohej përfundimisht si shkaku i sëmundjes, atëherë do të hapej një hetim. “Nëse substanca është identifikuar dhe është përcaktuar se bëhet fjalë për helmim, atëherë, natyrisht, kjo do të jetë arsye për një hetim,” shtoi zëdhënësi i Kremlinit.

SHTOHEN KËRKESAT PËR HETIM
Kërkesat për hetim po shtohen. Ministria e Jashtme e Francës të martën bëri thirrje për një hetim të pavarur dhe transparent të çështjes. “Është thelbësore që autoritetet ruse të kryejnë një hetim të shpejtë dhe transparent për të vërtetuar rrethanat në të cilin u krye ky akt,” tha ministria në një deklaratë.

Presidenti francez Emmanuel Macron tha javën e kaluar se Franca ishte e gatshme t’i jepte Navalny-t gjithë ndihmën e nevojshme, përfshirë strehimin politik. Ministrja e jashtme e Suedisë, Ann Linde tha gjithashtu të martën në Twitter se “rrethanat në lidhje me helmimin e dyshuar të Navalny-t duhet të sqarohen nga një hetim i pavarur”. Edhe kryediplomati i Bashkimit Evropian Josep Borrell i kërkoi mbrëmë Rusisë të hetojë.
Alexei Navalny, një kundërshtar i hapur i Presidentit Vladimir Putin, u dërgua të shtunën në Gjermani për mjekim, pas krizës që pësoi në bordin e një avioni kur ishte duke u kthyer për në Moskë nga Siberia. Mjekët gjermanë që trajtojnë zotin Navalny në një spital të Berlinit thanë të hënën se analizat mjekësore flasin për helmim me një lloj frenuesi të kolinesterazës, megjithëse lënda konkrete ende nuk dihet./VOA

Top Channel