Kriza greko-turke/ Gjermania ndërhyn për uljen në bisedime

26/08/2020 01:39

Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas ka vizituar Athinën dhe më pas Ankaranë duke ju kërkuar Greqisë dhe Turqisë që të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre përmes bisedimeve të drejtpërdrejta dhe dialogut sa i përket pretendimeve që ato kanë për rezervat me gaz natyror në Mesdheun lindor duke paralajmëruar për rrezikun e një konfrontimi ushtarak.

Maas, ka deklaruar në takimin me kryeministrin Mitsotakis se Gjermania dhe partnerët e saj në BE qëndruan përkrah Greqisë në mosmarrëveshjen e saj me Turqinë. Ndërsa në konferencën e përbashkët me homologun e tij grek Nikos Dhendias ai ka parlajmëruar se përshkallëzimi i tensionit midis Greqisë dhe Turqisë në Mesdheun Lindor është si “të luash me zjarrin ” dhe nuk është në interesin e askujt.

“Situata aktuale në Mesdheun lindor është, në çdo rast, e barabartë si të luajë dikush me zjarrin dhe çdo shkëndijë, sado e vogël, të mund të çojë në një katastrofë, e cila nuk mund të jetë në interes të askujt, dhe sigurisht në një konfrontim ushtarak midis partnerëve të NATO-s dhe fqinjëve. Dhe kjo është arsyeja pse ne duam të bëjmë çdo përpjekje për të mos lejuar që kjo të ndodhë”- tha Maas.

Nga ana e tij kreu i diplomacisë greke Dhendias ka deklaruar se Greqia do të mbrojë, në emër të ligjit, sovranitetin e saj, kufijtë kombëtare që janë edhe kufijtë e Europës duke qenë e gatshme për dialog, por e pakërcënuar.

“Greqia ka dëshmuar se është dhe mbetet gjithmonë gati për dialog. Por nuk mund të ketë dialog nën një regjim kërcënimesh. Nuk mund të ketë dialog nën provokime”- tha Dendias.

Ardhja për herë të dytë brenda pesë javësh në Athinë dhe Ankara e kryediplomatit gjerman shpjegon se përsëri tensioni mes Greqisë e Turqisë vazhdon të jetë në pikën kulmore, ashtu si në mesin e korrikut , kur Berlini me ndërhyrjen e tij shmangu një konflikt të mundshem ushtarak mes dy fqinjëve.

Top Channel