Hetuesit: 15 vjeçarja britanike e vdekur në xhunglën e Malajzisë, nuk ishte rrëmbyer

26/08/2020 19:12

Adoleshentja 15-vjeçare që u gjet e vdekur në pyllin tropikal të Malajzisë, nuk ishte rrëmbyer, thanë sot hetuesit vendas për rastin tragjik të gushtit të shkuar.

Nora Anne Quoirin u shpall e humbur një ditë pasi ajo mbërriti me familjen e saj për pushime në rezortin ekologjik të Dusun.

Një operacion i gjerë kërkimi nisi për gjetjen e saj, ndërsa trupi i saj i zhveshur u gjet një javë më vonë në 13 gusht, rreth 2.5 kilometra larg vendit ku po qëndronte.
Adoleshentja kishte disa paaftësi mendore e fizike prandaj prindërit e saj Meabh e Sebastian Quoirin thanë pas zhdukjes se vajza nuk do të ishte larguar e vetme.

Por gjatë hetimeve të policisë së rajonit të Negeri Sembilan, kreu i saj Mohamad Mat Yusop tha se në hetime nuk ishte zbuluar element kriminal dhe se nuk kishte sinjale se Nora ishte rrëmbyer.

“Nuk kemi marrë asnjë telefonatë, në raste të tilla marrim telefonata ku thuhet se viktima është marrë peng dhe është dorë të këtyre personave që kërkojnë shpërblesën. Unë besoj se personi i humbur është larguar nga dritarja.

Mjeku ligjor tha se shkaku i vdekjes ishte uria, gjatë kohës që ishte e humbur, çka i kishte shkaktuar gjakderdhje të brendshme. Ajo u gjet gjithashtu me disa gërvishtje te këmbët, por këto u vendos se nuk kishin lidhje me vdekjen e saj.

Prindërit e saj, zonja e zoti Quoirin nga Londra, do të japin dëshminë e tyre në hetime me anë të lidhjes video kësaj jave. Familja Quoirin ka paditur pronarin e rezortit për neglizhencë pasi në vend nuk kishte siguri.

Në padi ata përshkruajnë sesi Nora kishte aftësi të ulëta të sistemit motor të trurit, kishte nevojë për ndihmë në të ecur, dhe kishte moshën mendore të një pesë-gjashtë vjeçareje.

FOTO GALERI
1/4
Nora u gjet e vdekur me 13 gusht, vitin e kaluar

Top Channel