Frikë për të ardhmen! Mali i Zi në prag të zgjedhjeve

26/08/2020 14:33

Duke udhëtuar përmes gjirit madhështor të Kotorrit, në Malin e Zi, kapiteni Ivan Gvido Krivokapic u gëzohet ujërave si jo zakonisht të qetë të një destinacioni që është bërë një magnet për turistët vitet e fundit.

Por, çdo gëzim i shkaktuar nga shifrat e pranueshme të koronavirusit është i ngjyrosur me ankth për të ardhmen ekonomike të këtij vendi të vogël, që varet shumë tek industria e turizmit.

“Anijet e pasagjerëve ndoshta nuk do të gjejnë kurrë një gji kaq të zbrazur”, thotë Krivokapic.

Nuk shihen më në Malin e Zi, krocerat e mëdha ndërkohë që rritet frika në vend për rënien e mundshme ekonomike si pasojë e pandemisë, që rëndon jo pak në mendjet e votuesve, para zgjedhjeve parlamentare të së dielës.

“Njerëzit po i gëzohen qetësisë, por nuk janë të lumtur sepse ekonomia është thelbësore. Ne tani po e shohim se sa të varur jemi nga turmat e verës dhe nga kaosi”.

Turizmi zë rreth një të katërtën e ekonomisë së malit të zi në kohë normale dhe punëson 20 për qind të forcës punëtore. Ekonomistët thonë se pandemia ka nxjerrë në pah rreziqet e mbështetjes vetëm te turizmi duke shpalosur nevojën për të diversifikuar një ekonomi që veç turizmit mbështetet edhe te bujqësia, që zë 50 përqind të GDP-së, shërbimet dhe sektori i vogël i industrisë.

Këtë vit, ardhjet e turistëve dhe shpenzimet kanë rënë me rreth 90 për qind, sipas të dhënave zyrtare dhe kjo do të dëmtojë ndjeshëm ekonominë. Sipas FMN-së, Mali i Zi po shkon drejt kontraktimit më të madh të tij, rreth 9 përqind, që nga shpallja e pavarësisë në 2006.

Partia në pushtet, në fuqi prej tre dekadash, shpreson se e ardhmja e pasigurt do t’i orientojë votuesit që të kërkojnë siguri dhe të vazhdojnë të votojnë atë. Por opozita po përpiqet të shfrytëzojë shqetësimet me kritikët që akuzojnë qeverinë për menaxhim të keq të krizës deri më tani.

Top Channel