Alarm në Spanjë pasi virusi i Nilit infekton 45 njerëz dhe vret dy

26/08/2020 18:24

Mediat britanike paralajmëronin sot turistët e tyre në Spanjë për përhapjen e virusit vrasës të Etheve të Nilit në qytetin e Sevijës.

Numri i rasteve të sëmundjes që shkaktohet nga pickimi i mushkonjës, ka arritur në 45 brenda dy ditëve. Dy njerëz raportohet se kanë vdekur prej tij dhe shtatë të tjerë janë në kujdes intensiv.

Epiqendrat kryesore të përhapjes janë zona e brigjeve të lumit në Coria del Río dhe La Puebla del Río, në bashkinë e Sevijës.

Një tjetër rast është raportuar 30 kilometra në lindje të qytetit.

Bashkia e Sevijës njoftoi mëngjesin e sotëm se ka nisur dezinfektimin e disa zonave të qytetit për të parandaluar përhapjen e mëtejshme dhe ka vënë në alarm rezidentët lokale.

Ekspertët kanë paralajmëruar se ethet e Nilit mund të përhapen në të gjithë Spanjën prandaj lufta kundër mushkonjave me mjete tymuese ka nisur në Coria del Río e La Puebla del Rio.
Dy viktimat e etheve të Nilit raportohet se ishin një burrë 77 vjeçar dhe një grua 85-vjeçare.

Bashkia shprehte ngushëllime për vdekjet dhe tha se do të bënte gjithçka për ndalimin e përhapjes së sëmundjes së rëndë, me simptoma të ngjashme me meningjitin.
Virusi i Nilit transmetohet nga mushkonjat që kanë pickuar zogjtë transportues të virusit, duke e kaluar atë te njerëzit dhe te kuajt.
Një numër kuajsh në zonë kanë rezultuar pozitivë me ethet e Nilit.

Sipas të dhënave të OBSH për sëmundjen, 20 për qind e të infektuarve shfaqin simptoma si ethe, lodhje, dhimbje koke, dhimbje trupore, të përziera dhe në raste më të pakta acarime të lëkurës dhe zgjerim të gjendrave limfatike.

Përhapja e virusit të Nilit i atribuohet shtimit të numrit të mushkonjave në kënetat e parkut kombëtar të Doñana National e Gua.

Të gjitha zonat po tymosen kundër mushkonjave si ambjentet sportive, rrugët kryesore, shkollat dhe brigjet e lumenjve.

FOTO GALERI
1/3
Numri i rasteve të sëmundjes që shkaktohet nga pickimi i mushkonjës, ka arritur në 45

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA