Raportuesja për Kosovën: Presidenca gjermane të bëjë më shumë për heqjen e vizave

25/08/2020 18:21

Anëtarja e Parlamentit Evropian dhe raportuesja për Kosovën Viola Von Cramon ka marrë përgjigje nga sekretari i shtetit të Gjermanisë lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën, në një letër për të cilën thotë se e ka dërguar në qershor.

Ajo në një postim në Twitter ka shkruar se është pranuar se disa shtete nuk kanë qenë të kënaqura dhe tashmë është koha e komisionit për t’u përgjigjur.

Von Cramon ka thënë se Presidenca e BE-së, e kryesuar nga Gjermania, duhet të tregojë më shumë lidership lidhur me procesin, pasi Kosova meriton heqjen e regjimit të vizave si vendi i fundit në Ballkan që nuk e gëzon këtë të drejtë.

“Të tri pikat kanë marrë përgjigje, asgjë në të vërtetë nuk ka ndryshuar. Këshilli vetëm po fiton kohë duke përdorur manovrime burokratike. Presidenca gjermane duhet të tregojë më shumë lidership për t’i shpërndarë dyshimet. Kosova meriton liberalizim të vizave”, ka shkruar Von Cramon.

Ndryshe, Viola Von Cramon në qershor i ka dërguar një letër kancelares gjermane, Angela Merkel dhe ministrit të Brendshëm Horst Seehofer, duke i nxitur ata që të vendosin agjendën e liberalizimit të vizave të Kosovës në agjendën e Këshillit të Bashkimi Evropian gjatë presidencës gjermane, që më 1 korrik.

“Për momentin, Kosova është një nga vendet e pakta evropiane të mbetura, qytetarët e së cilës nuk mund të udhëtojnë lirshëm në zonën Shengen pa viza. Sidoqoftë, kjo nuk varet më nga kosovarët. Procesi për të arritur liberalizimin e vizave supozohet të bazohet në kritere objektive, të cilat, siç u njoftua nga Komisioni Evropian, është përmbushur në korrik 2018, saktësisht dy vjet më parë”, citohet të ketë shkruar von Cramon.

Siç thuhet më tej, ajo theksoi se katër presidencat e kaluara të Këshillit nuk merreshin me këtë çështje dhe shprehu shpresë se Gjermania do ta zgjidhë këtë problem për shkak të lidhjeve dhe angazhimeve të saj për Ballkanin Perëndimor.

“Standardet janë përmbushur nga Kosova. Ata kanë bërë detyrat e tyre të shtëpisë, tani është radha jonë të mbajmë premtimin tonë. Ne po e humbim besueshmërinë tonë kur një vend i tretë të bëjë atë që ne kërkojmë prej tyre, por ata nuk marrin atë që u kemi premtuar atyre”, ka shkruar Von Cramon.

Ajo kujtoi se Parlamenti Evropian e ka mbështetur çështjen disa herë dhe e përfshiu atë në rezolutën e miratuar së fundmi për zgjerimin, e cila u mbështet nga një numër dërmues i eurodeputetëve.

Top Channel