Qëlloi me grusht një pikturë të Picasso-s, arrestohet i riu

25/08/2020 19:11

Një i ri përfundoi në pranga sepse qëlloi me grusht një pikturë të Picasso-s që vlen 20 milionë paundë dhe e shkuli nga muri i galerisë së artit, Tate Modern në Londër.

Shakeel Massey, 20 vjeç, pranoi atë që autoritetet po e konsiderojnë vepër penale: goditjen e një kryevepre si Busti I një gruaje, të cilën mjeshtri i madh e krijoi në 1944-tën. Ekspertët i thanë gjykatës se riparimi i saj mund të kërkojë deri në 18 muaj kohë, ndërsa kostoja do të kapërcejë 350 mijë paundë.

Massey u dënua me një vit e gjysmë heqje lirie. Gjykatësit kujtoi sesi ai e kishte goditur pikturën disa herë përpara se ta hiqte nga muri e ta përplaste në tokë. Sipas tij, veprimet e 20-vjeçarit nuk ishin asgjë më shumë sesa një përpjekje për të arritur “pesë minuta famë”. Vetë i ndaluari, në momentin e prangosjes i kishte thënë policisë e gjithë kjo ishte pjesë e një “performance”.

Sipas Tate, vepra e artit paraqet të dashurën e Picassos, Dora Maar dhe u realizua në Paris, majin e vitit 1944, pikërisht gjatë muajve të fundit të pushtimit nazist. Ai është në pronësi të një koleksionisti privat, por që ia ka huazuar galerisë së njohur që prej vitit 2011.

Top Channel