Maguire shpallet fajtor në Greqi/ Akuza: Është një gënjeshtar, ka sajuar historinë për shqiptarët që i ngacmuan motrën

25/08/2020 21:15

Kapiteni i Manchester United, Harry Maguire u dënua sot me 21 muaj burg të pezulluar nga gjykata greke për sulm dhe tentativë ryshfeti ndaj oficerëve të policisë, ndërsa prokurorët dënuan “malin me gënjeshtra” për shqiptarët që “kishin droguar motrën e tij”.

27 vjeçari Maguire, u shpall fajtor për sulm ndaj policisë, abuzim verbal dhe tentativë korruptimi pas sherrit të së premtes mbrëma.

Sot emri i tij u përfshi në skuadrën e kombëtares angleze të trajnerit Gareth Southgate, por mbetet ende për të parë nëse ai do të luajë në ndeshjet e muajit që vjen. Qendërmbrojtësi nuk ishte prezent në gjykatën e ishullit të Syros, por mbrojti pafajësinë e tij dhe tha se do të apelojë vendimin.

Maguire tha:

“Pas vendimit të sotëm kam udhëzuar grupin ligjor të informojë se do të apelojmë. Mbetem i sigurt në pafajësinë tonë dhe viktimat e vetme këtu jemi unë, familja dhe miqtë e mi”.

Ioannis Paradissis, avokati i dy prej gjashtë policëve grekë të përfshirë në çështje tha se Maguire është një “katastrofë” dhe ka “shpikur një tufë me gënjeshtra pa pasur guximin të kërkojë falje”.

Paradissis tha:

“Ai ka ofenduar policët tanë dhe bashkë me miqtë e tij kanë plagosur tre prej tyre. Maguire e miqtë e tij kanë shpikur historinë për shqiptarët që ngacmuan motrën e tij, nuk kam dëgjuar kurrë gjepura të tilla. Ishte një tentativë e përçmuar për të ofenduar shqiptarët dhe policinë greke”.

Top Channel