Tetë viktima të reja u shënuan nga koronavirusi në Kosovë, ku ritmi i vdekjeve, ashtu siç e pohoi dhe kryeministri Avdullah Hoti një ditë më parë, mbetet shqetësues.

Bilanci i jetëve të humbura atje shkon kështu në total në 488. 471 testime ishin kryer së fundi e nga këto, 136 rezultuan pozitivë. Në këtë situata, ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë njoftoi se autoritetet amerikane e kanë ndihmuar Kosovën me 50 respiratorë në luftën kundër pandemisë së koronavirusit.

“Ky donacion paraqet realizimin e ofertës zemërgjerë të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për furnizim me pajisje të domosdoshme dhe mbështet Kosovën në përgjigjen urgjente ndaj pandemisë”, thuhet në deklaratën e saj.

Donacioni është pjesë e ndihmës prej 1.6 milionë dollarëve të ndara nga amerikanët për Kosovën me qëllimin të mbështesin masat që vendi po merr kundër Covid-19. Në Maqedoninë e Veriut, u raportua për pesë vdekje të tjera këto 24 orë dhe 127 testime. Shkupi vazhdon të kryesojë për raste të reja, i ndjekur nga Kumanova, Gostivari e Tetova.

Top Channel