Koronavirusi në Evropë, Gjermania ‘sheh’ rrezik nga Franca

25/08/2020 14:54

Gjermania ka shtuar rajonin e Parisit dhe disa rajone të tjera në jug të Francës, përfshirë Côte d’Azur në listën e zonave me rrezik si pasojë e covid 19 që duhet të evitohen nga shtetasit gjermanë. Kjo pas rritjes së ndjeshme të rasteve të reja të koronavirusit në këtë vend.

Presidenti francez, Emmanuel Macron ndërkohë, ka thirrur këshillin e mbrojtjes për të diskutuar mbi ecurinë e pandemisë, që sipas zyrtarëve të shëndetësisë është më dominuese mes të rriturve në mosha të reja. Krye epidemiologu francez, Zhan Fransua Delfraissy tha se për këtë shkak numri i të shtruarve në spital, në kujdes intensiv, nuk është rritur shumë. Të rinjtë, kanë sisteme imunitare më të forta dhe në një pjesë të madhe e kalojnë lehtë ose pa simptoma covid 19.

Situata është shqetësuese edhe në Itali, ku pas shtatë ditësh kur shifrat u bënë alarmante, madje kaluan edhe 1000 rastet ditore, një ditë më parë u raportua një rënie e lehtë, 953, por me 20 mijë teste më pak, sipas zyrtarëve. Ndërkohë, mediat italiane kanë botuar një letër prekëse të një 20 vjecareje, martinës, e cila thotë se e ka kaluar pjesën më të madhe të verës jashtë, me miqtë, por kur festoi ditëlindjen e një miku në një klub nate, mori virusin. Dhe në përfundim infektoi dy gjyshërit dhe të atin, që tani është në kujdes intensiv, duke luftuar për jetën. “nuk do të mund t’ia fal kurrë vetes këtë” thotë ajo.

Top Channel