Konventa Republikane: Vetëm Trumpi e shpëton Amerikën!

25/08/2020 17:31

Republikanët kanë përdorur natën e parë të konventës së tyre kombëtare për të lëshuara paralajmërime të errëta mbi të ardhmen e Amerikës, duke argumentuar se rizgjedhja e Donald Trumpit është mënyra e vetme për të shpëtuar vendin nga rënia në socializëm, shkatërrim ekonomik, dhunë dhe anarki.

Tema e saj ishte zyrtarisht “vendi i premtimeve”, teksa koleksioni i fjalimeve ofroi një vizion thuajse apokaliptik të asaj çfarë është në lojë ditën e zgjedhjeve, në 3 nëntor.

“Ata do t’ju çarmatosin, do të zbrazin burgjet, do t’ju mbyllin në shtëpitë tuaja e do të ftojnë bandat e rrugës të vijnë e të jetojnë ngjitur me ju”, tha kongresmeni Matt Gaetz nga Florida për demokratët në fjalimin e tij, duke e krahasuar perspektivën me një “film horror”.

E ashpër ishte dhe këshilltarja e fushatës, Kimberly Guilfoyle, e cila është dhe partnere e djalit të presidenti, Donald Trump Junior.

“Të njëjtat politika socialiste që shkatërruan vende si Kuba dhe Venezuela nuk duhet të zënë rrënjë në qytetet tona dhe shkollat ​​tona. Këto zgjedhje janë një betejë për shpirtin e Amerikës. Zgjedhja juaj është e qartë”, u shpreh Kimberly Guilfoyle, këshilltare e fushatës Trum.

Vetëm pak minuta pasi delegatët në Kuvendin Kombëtar Republikan në Sharlot të Karolinës së Veriut, i dhanë zyrtarisht emërimin e partisë të hënën, Trump tha se mënyra e vetme se si demokratët mund ta mundin në zgjedhjet e nëntorit është përmes një procesi të manipuluar votimesh duke përdorur fletëvotimet me postë.

“Ata po përpiqen t’i vjedhin zgjedhjet,” deklaroi Presidenti gjatë një paraqitjeje zyrtare të pa paralajmëruar, por shumë të pritur para kuvendit.

Ai madje shtoi se demokratët po “përdorin COVID-in për të vjedhur zgjedhjet”.

 

 

Top Channel