Nëse këtë vit jeni në kërkim të kanaleve cilësore YouTube, ne kemi gjetur disa që ia vlen t’u hidhni një sy.

Më i madhi nuk është gjithmonë më i miri dhe nëse kanalet kanë me miliona fansa, nuk do të thotë domosdoshmërisht se kanë përmbajtje cilësore. Me sasinë e madhe të videove që YouTube ofron çdo ditë, është e vështirë të gjeni ato që u përshtaten më tepër shijeve tuaja. Ndonjëherë nuk dini as nga t’ia filloni.

Fatmirësisht, ne e dimë — prandaj, nëse këtë vit jeni në kërkim të kanaleve cilësore YouTube, kemi gjetur disa që ia vlen t’u hidhni një sy.

SHKENCË, FILOZOFI DHE STUDIME

Minute Physics

Doni të mësoni gjithçka mbi fizikën, por nuk doni të humbisni shumë kohë? Minute Physics e bën shkencën të lehtë për t’u kuptuar, me video që zakonisht nuk zgjasin më tepër se pak minuta (më e gjata është rreth 7 minuta, por kohëzgjatja mesatare e videove është rreth 90 sekonda). Ky kanal shpjegon gjithçka, nga “Çfarë është zjarri” deri te zbulimi më i fundit i Higgs Boson. Tani nuk keni pse të ndiheni të humbur kur miqtë tuaj të lexuar diskutojnë tema shkencore — dhe mjaft u përpoqët të mësoni nga seriali The Big Bang Theory.

Crash Course

Ky kanal i krijuar nga dy vëllezër, Hank dhe John Green, që kanë hapur edhe kanalin Vlog Brothers, ofron kurse të shkurtra, zakonisht me nga 40 video secili, për tema nga më të larmishmet, duke filluar nga biologjia deri te letërsia. Videot përdorin ilustrime dhe animacione që do të tërhiqnin këdo ndaj nomenklaturës — dhe mund t’ju ndihmojnë edhe me testet shkollore.

Big Think

Big Think mbledh së bashku disa nga figurat më të shquara në filozofi, shkencë dhe fusha të tjera, për të diskutuar mbi ide të rëndësishme, të përmbledhura në video të shkurtra dhe të kuptueshme. Big Think është një burim dijesh, ku do të gjeni gjithçka, nga diskutimet e fizikanit Michio Kaku mbi jashtëtokësorët, deri te këshillat mbi shëndetin mendor.

ART DHE KULTURË

Lessons from the Screenplay

Teoria e kinemasë mund të jetë e vështirë për t’u kuptuar. Kanali Lessons From the Screenplay analizon një sërë filmash të njohur, duke shpjeguar se pse ngjarjet e tyre kanë qenë të suksesshme — ose në disa raste, kanë dështuar. Temat mund të variojnë: për shembull, një video përdor filmin The Avengers për të shpjeguar dallimet midis strukturave narrative me tre dhe pesë akte, një tjetër përdor Blade Runner, si shembull për të ndërtuar një histori filmi fantastiko-shkencore dhe noir.

Now You See It

Një tjetër kanal që studion filmat, Now You See It, shqyrton aspekte të ndryshme të bërjes së filmave, duke shpjeguar teknikat e ndryshme që përdor një regjisor dhe pse i përdor ato. Temat që trajtohen përfshijnë kostumet, përdorimin e gjeometrisë në modelimin e karaktereve dhe si mund të ekzekutohet në mënyrë të papritur një çast i frikshëm në filmat horror.

KEXP

KEXP, stacioni i radios publike në Seattle, mirëpret disa nga muzikantët më interesantë të muzikës alternative, dhe publikon video të këtyre performancave në YouTube, që mund të jenë pjesë koncerti ose interviste. Studio e KEXP ka një akustikë të shkëlqyer dhe çdo performancë tingëllon fare qartë dhe pastër.

UDHËTIM DHE AVENTURË

Fun For Louis

Louis Cole bën më shumë në një muaj, se ç’bëjnë shumica e njerëzve gjatë gjithë jetës. Ai dokumenton aventurat e tij nëpër botë, që do t’ju bëjnë të ndiheni xhelozë. Megjithëse zakonisht nuk jep këshilla për udhëtime, ai mund t’ju japë ide se çfarë destinacionesh të shtoni në listën tuaj, si për shembull, qëndrimi në një banesë igloo apo shëtitja në një burg të braktisur, ku mendohet se dalin fantazma. Pavarësisht nëse vendosni të ndiqni ose jo shembullin e tij, apo thjesht të kënaqeni me pamjet, Louis ju ofron diçka unike në çdo video.

Gareth Leonard

I njohur ndryshe si Tourist2Townie, videot e shkurtra të Gareth Leonard, u ngjajnë më tepër reklamave për vende të ndryshme sesa një ditari udhëtimesh. Ato tregojnë pamje të peizazheve të ndryshme dhe muzikën tipike, që është një mënyrë e përkryer për të shfaqur traditat karakteristike të një vendi. Qëllimi i Leonard është të përfshihet aq shumë në një kulturë apo vend të caktuar, saqë të arrijë të ndihet si një vendas. Është në dorën tuaj të vlerësoni nëse ia arrin qëllimit.

VIDEO-LOJËRA

Giant Bomb

Faqja e internetit për video-lojëra, Giant Bomb, ndërthur pasionin për lojërat, me personalitete zbavitëse; stafi i kësaj faqeje përbëhet nga ekspertë të video-lojërave. Ndërsa kanali YouTube ofron video falas, përfshirë Quick Looks (ku anëtarët e stafit luajnë vetë lojëra, duke ju dhënë mundësinë të shihni taktikat e tyre) dhe regjistrime të podcast-eve më popullore të GB.

Jim Sterling

Gazetari i video-lojërave, Jim Sterling, është një nga personalitetet më të njohura të video-lojërave, gjë që e tregon edhe kanali i tij YouTube. Seritë kryesore të Sterling janë The Jimquisition, ku ai jep mendime të mprehta (shpesh thumbuese), mbi trendet më të fundit të industrisë së lojërave.

OfficialNerdCubed

Imagjinoni një njeri si Tim Curry, por që bërtet shpesh dhe zotëron një kanal në YouTube për video-lojëra. Kështu mund të përmblidhet OfficialNerdCubed. Daniel Hardcastle luan çdo lojë, nga Spiderman 2 tek Flight Control, dhe e përsërit shprehjen tipike britanike “bloody” aq shpesh, saqë do t’ju vijë dëshira të hipni në një autobus të kuq me dy kate dhe të pini çaj në një kabinë të kuqe telefonike. Kujdes nga videot me të atin, sepse të dy ngjasojnë aq shumë, saqë vështirë se do t’i dalloni. Shumica e videove në kanalin e tij janë mjaft të gjata, kështu që planifikoni kohë të mjaftueshme për t’i parë.

GATIMI DHE USHQIMI

Epic Meal Time

Nëse ju kujtohet ndonjë rast kur keni biseduar në orët e vona të natës me një mik, duke diskutuar sa e shijshme do të ishte lazanja e përzier me poutine, Epic Meal Time është kanali i duhur për ju. Krijuesit e tij kanadezë, bëjnë realitet fantazitë tuaja më të çmendura për ushqimin, duke shtuar proshutë dhe krahë pule pothuajse në çdo pjatë – dhe provojnë eksperimentin. Ky kanal nuk është për vegjetarianët ose njerëzit me stomak të dobët.

Binging with Babish

Në videot e përjavshme të Binging with Babish, Andrew Rea ndërthur kulturën popullore me gatimin, duke rikrijuar ushqime që janë paraqitur në filma apo shfaqje të ndryshme, me detajet më të imta. Pavarësisht emrit, Binging nuk ofron vetëm humor; Rea i krijon recetat duke u shpjeguar shikuesve çdo hap me qartësi dhe besim, saqë çdo shikues ndihet sikur mund të gatuajë vetë një biftek Wellington (apo ëmbëlsirat me kungull në filmat e Harri Poterit).

Cocktail Chemistry

Pavarësisht nëse doni të argëtoni të ftuarit, apo thjesht të ulni shpenzimet nëpër lokale, është gjithnjë e nevojshme të dini si të bëni një koktej. Cocktail Chemistry shpjegon recetat e koktejeve të ndryshme, nga ato klasiket, si Old Fashioned dhe Negroni, tek ato më ekstravagantet. Ky kanal ofron gjithashtu video për teknikat e baristëve, në mënyrë që të bëheni ekspert në krijimin e koktejeve.
Burimi: Digital Trends/ Monitor/

Top Channel