Djali i Presidentit ‘më Trump se vetë Trumpi’

25/08/2020 14:36

Natën e parë të konventës republikane, djali më i madh i presidentit, Donald Trump Jr, pushtoi skenën dhe tërhoqi vëmendjen e kombit.

“Politikat e Trump kanë qenë një karburant për ekonominë”, tha ai gjatë fjalimit duke lëvduar lidershipin e të atit. Por, fjalët më të fuqishme të tij nuk kishin të bënin me presidentin, por me Joe Bidenin, të nominuarin demokrat për presidencën.

“Politikat e të majtës ekstreme të Biden do të ndalojnë rimëkëmbjen e ekonomisë”, tha Trump Jr duke paralajmëruar konservatorët se demokratët do të zhbënin arritjet ekonomike që janë bërë me të atin në shtëpinë e bardhë.
Një mbrojtës i flaktë i platformës së të atit, Donald Trump Jr, sipas mbështetësve të tij, mund të elektrizojë një sallë ndërkohë që kritikët e akuzojnë se i hedh benzinë zjarrit. Një orator i zjarrtë, tip sportiv dhe agresiv, Trump Jr po bën gjithçka që mundet për të ndihmuar të atin të rizgjidhet. Strategjia republikane është fokusuar në entuziazmimin e bazës mbështetëse të presidentit dhe ata e shohin Trumpin e ri si asi nën mëngë.

Ky i fundit ka një raport të pazakontë me mbështetësit e presidentit, pjesa më e madhe e të cilëve jetojnë në pjesët rurale të vendit. Shumë nga mbështetësit e presidentit e pëlqejnë mënyrën se si Trumpi i ri, ndonjëherë shkon edhe më larg se i ati, duke mbështetur psh përpjekjet e industrisë së armëve për heqjen e kufizimeve për silenciatorët. Ai po ashtu admirohet për ashpërsinë e tij. Në të njëjtën kohë, ai është edhe shumë i ngjashëm me të atin dhe është po aq përçcarës sa edhe presidenti. Ndërsa mbështetësit e presidentit e adhurojnë, liberalët e shohin vëngër.

Top Channel