Shpërthimi terrorist në gazsjellës lë pa energji elektrike shumicën e Sirisë

24/08/2020 19:01

Thuajse i gjithë territori i Sirisë ishte sot pa energji elektrike si rezultat i një shpërthimi në një gazsjellës në pjesën jugore të vendit, tha agjencia shtetërore e lajmeve Sana.

Ministri i naftës dhe mineraleve Ali Ghanem tha se me shumë gjasa shpërthimi është një sulm terrorist.

Tre impjante energjitike kishin dalë jashtë funksioni si rezultat i incidentit. Skuadrat specialiste thanë se po punonin në rekuperimin e furnizimit me energji elektrike.

Edhe zëdhënësi amerikan për çështjet e Sirisë, James Jeffrey tha se shpërthimi me shumë gjasa është shkaktuar si një atentat nga ISIS.

“Ne jemi duke hetuar për këtë, por me siguri që ka qenë një sulm nga ISIS”, tha Jeffrey për agjencinë Reuters.

Ministri sirian i energjisë Muhammad Zuhair Kharboutli tha se shpërthimi kishte ndodhur në gazsjellësin mes qyteteve Al-Dumayr e Adra në provincën e Damaskut.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel