Presidenti i Republikës, Ilir Meta u dorëzoi sot dekretet e emërimit rektorëvetë universiteteve publike, të shpallur fitues nga zgjedhjet e 30 korrikut.
Sot në Presidencë u organizua ceremonia e posaçme, ku 12 rektorë, morën zyrtarisht detyrën. Rektorët e rinj, do të drejtojnë për katër vitet e ardhshme institucionet publike të arsimit të lartë në vend.
Presidenti Meta gjatë fjalës së tij u shpreh: Zgjedhja dhe përzgjedhja juaj erdhi nëpërmjet një procesi jo të lehtë, veçanërisht prej situatës së pazakonshme të pandemisë, të papriturave dhe përpjekjeve për t’u përshtatur me masa të cilat shpesh edhe u kontestuan.
Prandaj edhe sfidat përpara jush janë të vështira por jo të pamundura.
Sfidat dhe vështirësitë me të cilat do të përballeni do të jenë të shumta, sidomos në këtë periudhë pandemie e cila kërkon edhe më shumë impenjim dhe strategji të veçantë për të garantuar cilësi dhe studime sa më efektive. Me marrjen e detyrës suaj, ju nxis të punoni pa u lodhur për t’i transformuar universitetet në qendra më aktive shkencore.
Kreu i shtetit, bëri të ditur se, “Shqipëria ka sot më shumë se kurrë nevojë për shpresë! Edukimi i mirë i rinisë është shpresa e madhe e vendit tonë. Duhet ndalur largimi i trurit dhe i forcave të reja dhe më krijuese të shoqërisë. Largimi i rinisë dhe mbyllja e shumë degëve të studimit në universitetet në mbarë vendin është një plagë shumë e madhe! U duhet ofruar të rinjve tanë më shumë shpresë e alternativa edukimi dhe pune. Shqipëria ka nevojë për “brain gain” dhe jo “brain drain”
Presidenti Meta theksoi se: “Njëkohësisht tërheq vëmendjen tuaj dhe kërkoj angazhimin dhe vendosmërinë tuaj të plotë për forcimin e autoritetit të Institucioneve të Arsimit të Lartë dhe veçanërisht autonominë e universiteteve, duke i mbajtur ato sa më larg politikës dhe ndikimeve dhe qëllimeve të saj.
Liria akademike, autonomia financiare dhe organizative në përputhje me legjislacionin në fuqi janë të rëndësishme për Institucionet e arsimit të lartë në vendin tonë dhe vendosmëria e përkushtimi juaj për t’i mbrojtur ato duhet të jetë parimor dhe i pa kompromis”.
Rektorët fitues në zgjedhjet e fundit universitare të cilët kanë marrë sot
zyrtarisht detyrën pas dekreteve të emërimit të Presidentit janë:
Universiteti i Tiranës – Artan Hoxha
Universiteti i Mjekësisë, Tiranë – Arben Gjata
Universiteti Politeknik i Tiranës – Andrea Maliqari
Universiteti Bujqësor i Tiranës – Fatbardh Sallaku
Universiteti i Sporteve të Tiranës – Agron Kasa
Universiteti i Arteve – Kastriot Çaushi
Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës – Kseanela Sotirofski
Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan – Skënder Topi
Universiteti Fan.S. Noli, Korçë – Dhimitri Bello
Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Shkodër – Suzana Golemi
Universiteti Ismail Qemali, Vlorë – Roland Zisi
Universiteti “Eqrem Çabej”, Gjirokastër – Bektash Mema
Në fjalën e Tij përshëndetëse Presidenti Meta, u shpreh:
Të nderuar rektorë dhe rektore të sapo zgjedhur të universiteteve publike të vendit.
“Mendja e një kombi është arsimi,” ka thënë Sami Frashëri. Ndaj e gjithë pasuria jonë intelektuale kombëtare zhvillohet dhe rritet në auditorët e institucioneve të arsimit të lartë, në mnyrë të veçantë për të cilat ju jeni zgjedhur t’i drejtoni, duke bërë kështu që përgjegjësia e detyrës suaj të jetë tejet e lartë dhe jetike për të ardhmen e vendit.
Zgjedhja dhe përzgjedhja juaj erdhi nëpërmjet një procesi jo të lehtë, veçanërisht prej situatës të pazakonshme të pandemisë, të papriturave dhe përpjekjeve për t’u përshtatur me masa të cilat shpesh edhe u kontestuan. Prandaj edhe sfidat përpara jush janë të vështira por jo të pamundura.
Sfidat dhe vështirësitë me të cilat do përballeni do jenë të shumta, sidomos në këtë periudhë pandemie e cila kërkon edhe më shumë impenjim dhe strategji të veçantë për të garantuar cilësi dhe studime sa më të efektshme, duke ruajtur dhe shëndëtin e studentëve, por edhe të gjithë personelit.
Me marrjen e detyrës suaj, ju nxis të punoni pa u lodhur për t’i transformuar universitetet në qendra më aktive shkencore.
Çdo njëri prej jush, përfaqëson një përvojë të gjatë dhe e suksesshme akademike ndaj ju inkurajoj të shpalosni më së miri këtë përvojë dhe njohuritë tuaja që sistemi arsimor në vendin tonë të jetë sa më cilësor, i shëndetshëm, i qëndrueshëm, novator dhe konkurrues.
Sistemi ynë universitar duhet të ndjekë me hapa të shpejtë ndryshimet që ndodhin në fushën e edukimit në botë. Ai duhet të bazohet mbi kurrikula sa më bashkëkohore, duke orientuar studentin dhe dijen, drejt kërkimit shkencor apo hulumtimeve me qëllime jo vetëm lokale por sidomos rajonale dhe globale.
Ne kemi nevojë për një arsimin universitar që përgatit rininë tonë të jetë e aftë t’i përgjigjet me sukses të gjitha sfidave të globalizimit, të përshtatet me tregun e punës dhe të ketë aftësitë e duhura shkencore dhe njohuritë akademike për t’u përfshirë sa më lehtësisht në tregun e punës brenda dhe jashtë vendit, në institucionet publike dhe sipërmarrjet private.
Jam i bindur se do punoni me përkushtim bashkë me stafin tuaj akademik në përdorimin e metodologjive më bashkëkohore për t’u mundësuar studentëve një mendim sa më kritik dhe sa më krijues.
Është shumë e rëndësishme lidhja e dëgëve të studimit universitar nw tregun e punës, duke motivuar dhe mbështetur idetë inovatore të studentëve për hapjen e bizneseve të reja, sidomos star-up, te cilat janë sot një trend i përgjithshëm global dhe ndihmojnë shumë për të nxitur punësimin e të rinjve.
Zgjerojini bibliotekat në institucionet tuaja dhe pasurojini ato me literaturën më të fundit dhe më prestigjioze. Investoni në laboratorë dhe infrastrukturën mësimore dhe krijoni sa më shumë hapësira universitare.
“Të edukosh mendjen pa edukuar zemrën nuk është aspak edukim” na mëson Aristoteli.
Ndaj përpos përgatitjes individuale, studentët tanë duhen frymëzuar dhe u duhen krijuar kushte për të kontribuar e ndërtuar me zemër dhe atdhedashuri një shoqëri më demokratike, më të hapur, më tolerante e bashkëpunuese, më paqësore për të arritur një zhvillim më të qëndrueshëm e të sigurt të vendit.
Duke shpalosur angazhimin tuaj të plotë për forcimin e autoritetit të Institucioneve të Arsimit të Lartë dhe autonominë e universitetit, duke e mbajtur atë sa më larg politikës dhe ndikimeve të saj.
Rinia shqiptare është e mrekullueshme, e zgjuar dhe e talentuar. Ndaj duhet punuar që rinia jonë ta ndërtojë këtu të ardhmen e saj. Të bëhet një arkitekte e ëndrrave të veta në këtë vend.
“Shpresa më e madhe e një kombi bazohet mbi arsimimin e mirë të rinisë së vet,” ka thënë Erasmus.
Shqipëria ka sot më shumë se kurrë nevojë për shpresë! Edukimi i mirë i rinisë është shpresa më e madhe e vendit tonë dhe investimi më kyç pëër të ardhmen.
Duhet ndalur largimi i trurit dhe i forcave të reja dhe më krijuese të shoqërisë në radhë të parë.
Largimi i rinisë dhe mbyllja e shumë degëve të studimit në universitetet në mbarë vendin është një plagë shumë e madhe!
U duhet ofruar të rinjve tanë më shumë shpresë e alternativa edukimi dhe punësimi.
Shqipëria ka nevojë për “brain gain” dhe jo “brain drain.”
I bëj apel edhe qeverisë të mbështesë sa më shumë institucionet e arsimit të lartë pasi ato hasin vështirësi në ushtrimin e të drejtave dhe detyrimeve përkatëse. Kjo duke filluar miratimin e kuadrit të plotë ligjor normativ për arsimin e lartë deri tek rritja e mbështetes financiare nga Buxheti i Shtetit, e cila vazhdon të mbetet e ulët, në veçanti për kërkimin shkencor dhe inovacionet.
Njëkohësisht do të doja të tërhiqja vëmendjen tuaj dhe kërkoja angazhimin dhe vendosmërinë tuaj të plotë për forcimin e autoritetit të Institucioneve të Arsimit të Lartë dhe veçanërisht autonominë e universitetit, duke e mbajtur atë sa më larg politikës dhe qëllimeve të saj.
Liria akademike, autonomia financiare dhe organizative në përputhje me legjislacionin në fuqi janë të rëndësishme për Institucionet e arsimit të lartë në vendin tonë dhe vendosmëria e përkushtimi juaj për t’i mbrojtur ato duhet të jetë parimor dhe i pa kompromis.
Arsimi është një simbol i edukimit, kulturës dhe shkencës, duhet mbështetur, promovohet dhe të shërbejë ndër të tjera edhe si promotor kryesor i integrimit të plotë të vendit në Bashkimin Europian.
Të nderuar rektorë dhe rektore
Unë ju uroj një punë të mbarë dhe ju nxis të jepni më të mirën tuaj në misionin fisnik që po ndërmerrni dhe shfrytëzoj këtë rast të falenderoj dhe t’u shpreh mirënjohjen time më të thellë të gjithë pedagogëve dhe profesorëve të cilët kanë dhënë ndër vite e vazhdojnë të japin edhe sot një kontribut të jashtëzakonshëm në fushën e arsimit, mësimdhënies dhe të shkencës.
Punë të mbarë!
Top Channel