Italia do hapë universitetet/ Me maska dhe me sallat e leksioneve përgjysmë

24/08/2020 15:50

Leksione me numër të caktuar studentësh, me sallat e mbushura përgjysmë dhe gjithnjë me maska. Këto janë disa prej masave në universitetet italiane në rifillimin e vitit të ri akademik.

Për të shkuar në leksione duhet bërë më parë prenotim në mënyrë që të mos kapërcehet numri i fiksuar. Kush nuk do të mund të jetë i pranishëm do ti ndjekë leksionet nga shtëpia.

Masat e reja të funksionimit të kampuseve në erën e covidit janë miratuar tashmë nga komiteti tekniko shkencor në Itali. Bota akademike do të rifillojë kështu aktivitetin nën shenjën e kompromisit, duke tentuar të rihapet pas gjashtë muajsh, e duke garantuar sigurinë e studentëve dhe pedagogëve.

Rektorët synojnë kthimin e studentëve në salla e krah tyre janë edhe kryebashkiakët e qyteteve universitare, të frikësuar nga pasojat e mundshme ekonomike të një reduktimi drastik nëpër auditore. Vatrat e mundshme do të menaxhohen sipas të njëjtave linja të adaptuara për popullatën; sinjalizim i të infektuarve, gjurmim i kontakteve.

Thuajse të gjithë fakultetet kanë përcaktuar tashmë edhe mënyrat e pritjes së studentëve me aplikacione, prenotime dhe turne për ndjekjen e leksioneve dhe me ndalimin e tubimeve në hapësirat e përbashkëta. Auditorët do të jenë të mbushur në masën 50 %. Distancimi do të jetë një metër dhe çdo ditë, sallat do të dezinfektohen dhe ajrosen. Aplikacionet janë mënyra e preferuar e fakulteteve për të prenotuar vendin në sallën e leksioneve ndërkohë që maskat do të mbahen edhe gjatë leksionit. Vetëm profesori mund ta ulë maskën e tij gjatë shpjegimit.

Do të përcaktohen trajektore të ndryshme për hyrjen dhe daljen. Në çdo sallë do të ketë xhel dezinfektues. Nuk do të matet temperatura në hyrje por në rast ethesh, kolle e të ftohti do të jetë e ndaluar hyrja.

Top Channel