“Sezoni ka mbaruar e në këtë mënyrë janë rrezikuar një milionë vende pune”, kështu e përshkruan situatën aktuale, Carlos Higueras nga Shkolla e Biznesit në Madrid. Zyrtarisht Spanja ka 132 raste koronavirusi për 100.000 banorë, shifra më e lartë kjo në Evropë. Ndërkohë që në Gjermani kuota është 15 infeksione për 100.000 banorë.

Si rrjedhojë është përballuar edhe me një seri paralajmërimesh për udhëtimet në vend. Deri tani zyrtarisht kanë humbur punën vetëm 55.000 spanjollë, sepse shumica e tyre ndodhen në programet e punës me orar të shkurtuar. Një studim i shoqatës së ekonomisë FEDEA parashikon megjithatë që në fund 70 përqind e të punësuarve në sektorin e turizmit do të humbasin punën.

Veçanërisht të prekura janë ishujt Baleare, ku realizohet 35 përqind e rendimentit në kësaj dege të ekonomisë, ndërkohë që në pjesën tjetër të Spanjës realizohen 12 përqind të rendimentit. Në Kanarie, ku papunësia tek të rinjtë është e lartë, ka ndërkohë një avantazh afatshkurtër: Jo vetëm, që ato janë të përjashtuara nga lista e vendeve me risk, por kompanitë turisitike po i devijojnë ofertat drejt këtyre ishujve, ku piku i sezonit nis në dimër. Për Majorkën, perspektiva duket e zymtë.

Prezenca e shtuar e policisë dhe mbyllja e plazheve e parqeve natën kanë për qëllim të kufizojnë përhapjen e virusit. Detyrimi për mbajtjen e maskës është në fuqi prej kohësh. Tani madje edhe duhani në hapësirat publike lejohet të pihet vetëm në distancë dy metra nga tjetri. Në 2019, thuajse 84 milionë turistë i sollën vendit 92 miliardë euro të ardhura. Tani, për 2020, parashikohet një minus me rreth 100 miliardë euro.

Top Channel