Rekord rastesh të reja në Gjermani, 41 infektime në shkolla

23/08/2020 00:26

Gjermania ka shënuar numrin më të lartë të resateve të reja të COVID-19 në thuajse katër muaj të shtunën. Ka patur 2034 raste të reja koronavirusi në 24 orët e shkuara, ç’ka e ka çuar totalin në vend në 232 mijë që nga fillimi i pandemisë, raportoi instituti Robert Koch.

Shtatë persona humbën jetën 24 orët e shkuara dhe totali i viktimave është tani 9267. Rastet e koronavirusit në Gjermani janë rritur në fakt që nga fundi i korrikut.

Rikthimi i virusit në vend ka ardhur kryesisht nga eventet sociale dhe kthimi i udhëtarëve nga jashtë. Aktualisht ka disa dhjetëra vende që konsiderohen nga Gjermania si të rrezikshme. Kthimi i udhëtarëve nga këto vende, përfshirë këtu Belgjikën, Kroacinë, Bullgarinë, Rumaninë dhe Spanjën, si edhe SHBA dhe Rusinë, sjell detyrimin për vetëizolim 14 ditor.

Luksemburgu ndërkohë është hequr nga lista më 20 gusht. Rritja e rasteve është shkaktuar edhe nga rihapja e shkollave në vend. Të paktën 41 raste koronavirusi janë raportuar në Berlin mes mësuesve apo nxënësve në një kohë kur nuk janë mbushur ende dy javë nga hapja e shkollave në kryeqytet. Qindra nxënës dhe mësues janë aktualisht në karantinë, sipas gazetës lokale berliner Zeitung, përfshirë këtu shkolla fillore, të mesme dhe ato profesionale.

Ajo që po ndodh në shkollat e Berlinit, është e ngjashme me situatën në SHBA dhe Izrael, që regjistruan vatra të lidhura me shkollat. Kancelarja Angela Merkel shprehu kritika pak ditë më parë pasi sipas saj ka rregullore të shumta dhe të ndryshme në vend, dhe njerëzit ndodh që të mos e kuptojnë përse mund të bëjnë një gjë në Berlin por nuk mund ta bëjnë atë në Bavari. Sidoqoftë ka nisur puna për të harmonizuar rregullat e ndryshme të Covid-19 në të gjithë Gjermaninë.

Top Channel