Peru, 13 viktima në një klub nate/ U shtypën për vdekje pas bastisjes së policisë!

23/08/2020 12:57

Një ngjarje e rëndë tronditi Perunë ku 13 persona kanë humbur jetën të shtypur për vdekje ose të asfiksuar teksa përpiqeshin të dilnin nga një klub nate pas bastisjes së policisë.

Forcat e rendit kishin hyrë në lokalin e ndodhur në kryeqytet e që ishte hapur në kundërshtim me masat e vendosura nga autoritetet për të luftuar pandeminë e koronavirusit. Në momentin që panë policët, rreth 120 persona të ndodhur janë përpjekur të largohen kush e kush më parë kanë përfunduar duke shtyrë egërsisht njëri-tjetrin.

Ministria e Brendshme tha përmes një njoftimi për media se të pranishmit në këtë klub nate tentuan që të dilnin nga një derë e vetme, ku u krijua e gjithë rrëmuja dhe shumë persona mbetën të bllokuar mes derës dhe disa shkallëve të nxirrnin jashtë këtij lokali. 23 pjesëmarrës në festën e paligjshme janë arrestuar. Peruja ka urdhëruar mbylljen e bareve dhe klubeve të natës që prej muajit mars dhe ka ndaluar grumbullimet.

Deri më tani, në këtë vend janë regjistruar mbi 585 mijë raste me koronavirus dhe numri i vdekjeve është më shumë se 27 mijë.

Top Channel