Indi/ Pretendimet që vaksina COVISHIELD do të ishte gati në 73 ditë, të rreme!

23/08/2020 13:34

Instituti Serum i Indisë (SII) lëshoi ​​një deklaratë përmes së cilës sqaron se pretendimet që vaksina e saj kundër COVID-19 do të jetë gati për përdorim të gjerë pas 73 ditësh, janë të rreme.

“Aktualisht, qeveria na ka dhënë leje vetëm që ta prodhojmë vaksinën dhe ta depozitojmë atë për përdorim në të ardhmen”, sqaron ky institut, duke shtuar se COVISHIELD do të komercializohet vetëm pasi testet të dëshmohen të suksesshme dhe pasi të ketë marrë të gjithë aprovimin e nevojshëm sipas rregullave në fuqi.

“Duam të sqarojmë se pretendimet e 73 ditëve janë të pavërteta. Testet e fazës së tretë janë ende në zhvillim e sipër dhe ne do të lajmërojmë vetë kur vaksina të jetë e disponueshme”, thuhet në njoftimin e shpërndarë përmes mediave sociale.

India shënon më shumë se 3 milionë të prekur nga koronavirusi me 70.000 raste të reja të regjistruara vetëm në 24 orët e fundit. Edhe pse në fillim u duk se vendi kishte arritur ta përballonte mirë pandeminë falë masave të shpejta izoluese, tani infektimet po rriten me ritme shqetësuese duke bërë që India t`i afrohet tani shifrave të frikshme të Brazilit.

Top Channel