Fushata e fondeve në internet shpëton “Kampin e Hapësirës”

23/08/2020 03:32

HANTSVILL, ALABAMA – 2019 ishte një vit i suksesshëm për Qendrën Amerikane për Hapësirën dhe Raketat në Hantsvill, të shtetit Alabama. Vizitorë nga e gjithë bota shkuan për të festuar në qytetin ku u zhvillua raketa Saturn V që transportoi astronautët në hapësirë. Qendra priti grumbuj të mëdhenj njerëzish gjatë aktiviteteve përkujtimore në 50-vjetorin e 20 korrikut 1969, kur misioni Apollo 11 realizoi uljen në Hënë.

“Patëm një numër rekord pjesëmarrësish. Kishim pothuajse 45 mijë studentë në Kampin e Hapësirës (Space Camp) vitin e kaluar. Ishte një vit i jashtëzakonshëm”, tha Pat Ammons, menaxhere e komunikimit për Qendrën Amerikane për Hapësirën dhe Raketat. “Patëm një fillim të fuqishëm të 2020-tës. Vizitat ishin më të larta madje edhe në muze, dhe ndërkohë po shkonim drejt shitjes së të gjitha vendeve për pjesëmarrjen në kampin veror Space Camp”. Zonja Ammons tha se të gjitha u ndërprenë kur COVID-19 mbërriti në Shtetet e Bashkuara dhe detyroi pjesën më të madhe të jetës amerikane të mbyllet.

Space Camp, programi popullor që funksionon në këtë qendër në të cilën të rinjtë mësojnë se si është jeta e astronautëve, u mbyll plotësisht në mes të muajit mars. Dy muaj të ardhura nga të regjistruarit për kampin veror dhe nga vizitorët në muze, avulluan menjëherë. Megjithëse një agjenci shtetërore, tha zonja Ammons, qendra nuk merr fonde shtetërore ose federale dhe nuk u kualifikua për shumicën e fondeve në paketën prej triliona dollarësh të ndihmës kundër koronavirusit të miratuar nga Kongresi në fillim të këtij viti. “Ne i fitojmë të ardhurat tona përmes njerëzve që na vizitojnë dhe nxënësve që ndjekin programin tonë Space Camp”, i tha ajo Zërit të Amerikës gjatë një interviste rishtazi me Skype nga Hantsvilli. Ajo tha se shumë prej vizitorëve dhe kampistëve vijnë nga vende të tjera.

“Rreth 20% e nxënësve vijnë çdo vit nga jashtë. Veçanërisht në vjeshtë kemi shumë studentë që vijnë nga Australia, Mbretëria e Bashkuar, Kina dhe India – shumë prej tyre vijnë si pjesë e grupeve shkollore. Pra, shumë nga ata nxënës nuk do të vijnë këtë vit”, tha zonja Ammons. Ndërsa pjesëmarrja në Kampin e Hapësirës dhe shitjet e biletave ranë, Qendra ezauroi me shpejtësi fondet rezervë dhe kreditë. “Deri në fund të tetorit, do të kishim shteruar të gjitha paratë që kishin mbetur”, tha zonja Ammons. Kjo do të çonte në një shkurtim edhe më të madh të stafit.

“Nëse nuk do të merrnim një minimum prej 1.5 milion dollarësh deri në fund të tetorit, nuk do të ishim në gjendje ta mbajmë muzeun të hapur, dhe nuk do të jemi në gjendje të organizojmë Kampin e Hapësirës për vitin 2021”, tha Ben Chandler gjatë një interviste rishtazi me Skype. Zoti Chandler ka qenë pjesëmarrës në programe të shumta të Space Camp dhe tani është kryetar i Fondacionit jofitimprurës të Edukimit të Qendrës Amerikane për Hapësirën dhe Raketat, fondacion i cili ndihmon për ta financuar Qendrën dhe Kampin Hapësinor. Me perspektivën për të mbyllur dyert e tyre përgjithmonë, tha zoti Chandler, vendimi u mor për të kërkuar ndihmë përmes një fushate në internet GoFundMe, e cila nisi në fund të korrikut.

“Brenda shtatë ditëve, ne grumbulluam mbi 1.5 milion dollarë. Dhe herën e fundit që kontrollova, kishte 8 mijë individë që kishin dhuruar në këtë fushatë”, tha zoti Chandler. Korporata Boeing dhe SAIC ishin dy nga donatorët më të mëdhenj; së bashku kontribuan 750 mijë dollarë. Zoti Chandler tha se ndërsa objektivi fillestar ishte përmbushur, dhe organizata zhvendoset nga faza e “mbijetesës” në atë të “lulëzimit”, përpjekja për mbledhjen e fondeve nuk ka mbaruar. Qëllimi tani është të plotësohen sërish kursimet e harxhuara dhe të përgatiten për një kthim në operacionet normale.

“Tani, ne po përpiqemi të riparojmë disa nga ato dëme financiare, dhe kjo është arsyeja pse ne do ta mbajmë fushatën të hapur dhe të gjallë dhe do të përpiqemi të përmirësojmë çfarë të mundemi”, tha zoti Chandler. Sot, ndërsa Space Camp dhe Qendra Amerikane për Hapësirën dhe Raketat janë të dyja aktualisht të hapura për vizitorët, operacionet janë ulur ndjeshëm./VOA

Top Channel