Frika nga pandemia dhe sfida e rihapjes së shkollave

23/08/2020 03:10

Në SHBA, shumë administratorë shkollash dhe familje janë duke u përballur me problemin shqetësues se kur dhe si duhet të rihapin shkollat. Rihapja e shkollave, ndërsa rreziku i COVID-it vazhdon, është një sfidë e vështirë.

Kanë mbetur vetëm disa javë nga pushimet verore, por në një mënyrë duket si një vazhdimësi e mbylljeve të shkollave që ndodhën në mbarë Shtetet e Bashkuara në muajin mars. “Ka më shumë kohë për familjen, por është thjesht e çuditshme që të mos i shohësh dot shokët nga afër”, thotë Ananya Relia, nxënëse e klasës së gjashtë. Këto pushime kanë qenë të veçanta për këtë brez. Por ndërsa po afron fillimi i vitit të ri shkollor, pikëpyetja tani ngrihet se kur do të ketë siguri që fëmijët të kthehen në klasë? Apo do të jetë mësimi virtual rruga e duhur?

“Dërgimi i fëmijëve në shkolla ku distancimi social nuk do të mund të ndiqet, ku do të mblidhen shumë fëmijë nga familje të ndryshme, duket i rrezikshëm. Dhe si prind dhe mjek, mendoj se ky duhet të jetë hapi i fundit”, thotë nëna Chhavi Kaushik. Ndërsa Arnavi mezi pret të shohë shokët e klasës, ai ka edhe frikën se mos sjell virusin në shtëpi. “Kam frikë se mos vdes familja ime dhe të afërmit e mi të moshuar”, thotë Arnav Relia, nxënës i klasës së tretë. Zonja Chhavi dhe burri i saj janë të dy mjekë. Për shkak se ata punojnë me pacientë të infektuar me COVID-in, çifti pati vështirësi të gjente kujdestarë për fëmijët gjatë pushimeve të verës.

Sipas një raporti të firmës “McKinsey and Company”, 26.8 milionë njerëz, që përbëjnë 16% të fuqisë punëtore amerikane, janë të varur nga shkollat dhe sistemi i kujdesit për fëmijët në mënyrë që të mund të punojnë. Fakti është se sistemi shkollor dhe parashkollor luan një rol të rëndësishëm në ekonominë e Shteteve të Bashkuara. Sipas Qendrës Kombëtare të Statistikave të Arsimit, më shumë se 56.6 milionë nxënës do të ndjekin shkollat fillore, tetëvjeçare dhe të mesme në të gjithë vendin. Por me pasigurinë në lidhje me përhapjen e virusit, shumë departamente shkollash po kërkojnë opsionin më të sigurt për t’u rihapur, duke u siguruar ndërkohë edhe që fëmijët të përparojnë me mësimin e tyre.

Vendimi qëndron në duart e shumicës së 98,000 mbikëqyrësve të shkollave të Amerikës. “Shumë nga mësuesit tanë dhe shumë nga prindërit po kërkojnë një opsion virtual. Ekzistojnë mendime të ndryshme për atë që është e pranueshme për sa i përket hapësirës së distancimit social, nëse duhet 1 metër apo 2 metra, dhe nëse mund të kemi ngrënie vaktesh së bashku ose sporte kontakti fizik, dhe gjëra të tilla”, thotë Jason Harris, mbikqyrës i shkollave në qytetin Morrisville, të shtetit Pensilvani.

Mungesa e fondeve paraqet një sfidë për distriktet e tjera shkollore me burime të kufizuara. Distrikti i zoti Harris ka një mijë nxënës, nga të cilët treqind nuk kanë kompjuter në shtëpi dhe dyzet nuk kanë qasje në internet. Ekziston gjithashtu shqetësimi për ndikimin ekonomik të moshapjes së shkollave.

“Nëse mbyllim shkollat tani, prindërit mbeten në shtëpi me fëmijët e tyre dhe nuk mund të shkojnë në punë. Dhe radha për ushqime bëhet gjithnjë e më e gjatë”, thotë zoti Harris. Përkundër gjithë pasigurisë dhe stresit, disa gjimnazistë gjetën vend për gëzim, edhe pse u diplomuan muaj me vonesë. “Jemi të kënaqur që mundemi ta kemi një diplomim, padyshim që nuk është një situatë ideale, por po e përjetojmë sa më mirë të mundemi”, thotë maturantja Elise Pettisiani. Nxënësit vazhdojnë të jenë optimistë, megjithë pandeminë.

Top Channel