Francë/ Nga 1 shtatori maskat bëhen të detyrueshme në vendin e punës

23/08/2020 02:46

Nga 1 shtatori, Franca do t’i bëjë maskat mbrojtëse të detyrueshme në të gjitha vendet e punës. Rregullat e reja përfshijnë të gjitha hapsirat e punës të ndara e të mbyllura. Deri më tani, vetëm hapsirat publike mbuloheshin nga kërkesa.

“Zbulimi më i fundit shkencor për rrezikun e transmetimit të virusit përmes ajrit, na ka bërë që të adaptojmë një parim të përgjithshëm të mbajtjes sistematike të maskës në hapsira të brendshme dhe hapsira të përbashkëta pune – tha Laurent Pietraszewski, sekretar i shtetit për shëndetin e punonjësve. Por sa praktike dhe sa e lehtë është të mbahet një maskë në punë?

Ka nga ata që e shohin njëlloj si mbajtjen e një shalli apo një kapeleje. Më mirë të mbaj një maskë se sa të përjetoj një izolim tjetër – thotë një punonjëse. Ndërsa një fizioterapist nga Angers, thotë se duke qenë punonjës i këtij sektori, e ka mbajtur maskën gjithnjë në punë. “Ne gjithnjë jemi në kontakt me pacientë.

Mund ta heqim maskën vetëm kur jemi vetëm – thotë ai. Të tjerë ndërkohë, ankohen për të nxehtin. Maska nuk i ndihmon aspak në këto temperatura vere. Por sidoqoftë, frika nga infektimi, është më e madhe dhe duket se maska do të bëhet shpejt një normalitet i ri.

Top Channel