Covid-19/ Vazhdon rritja e rasteve të reja në Evropë

23/08/2020 01:23

Rastet e reja të koronavirusit vazhdojnë të rriten në Evropë, përfshirë edhe Spanjën, që ka regjistruar 66905 infektime të reja në dy javët e shkuara, duke sjellë kështu shkallën më të lartë të infektimeve në kontinent në një periudhë 14 diore dhe duke paralajmëruar për rrezikun e një vale të re viktimash.

Situata në Spanjë ka bërë që shefi i emergjencave shëndetësore në vend. Fernando Simon, të paralajmërojë se gjërat nuk po shkojnë mirë. “Nëse do të vazhdojmë të lejojmë rritjen e infektimeve, edhe pse pjesa më e madhe e tyre janë pa simptoma ose me simptoma të lehta, do të përfundojmë me shumë njerëz në spitale, shumë njerëz në kujdes intensiv dhe shumë vdekje” – tha ai.

Pjesa më e madhe e infektimeve të reja janë regjistruar në Madrid. Edhe numri i viktimave është rritur në Spanjë, me 131 humbje jete shtatë ditët e fundit. Franca në anën tjetër ka regjistruar një tjetër shifër shqetësuese, më e larta që nga fundi i izolimit në maj, duke bërë që autoritetet të urdhërojnë nxënësit, mbi 11 vjeç, të mbajnë maska kur të kthehen në shkolla pas një jave.

4700 raste të reja u raportuan të enjten në Francë, një rekord ky për periudhën pas izolimit. Edhe në Itali, infektimet e reja po rriten. 947 u raportuan nga autoritetet të premten dhe kjo është shifra më e madhe që nga 14 maji.

Ndërkohë, resorti austriak i skive ISchgl, që u bë një nga vatrat e koronavirusit në Evropë, në fillim të pandemisë, ka njoftuar se do të ndalojë të gjitha festat sezonin e ardhshëm. Mijëra pushues të huaj u infektuan atje në fillim të marsit dhe më pas e morën virusin në vendet e tyre.

Top Channel