Tenton të manipulojë zgjedhjen e Dalai Lama duke shpërndarë rryshfet për 100 murgj tibetianë

22/08/2020 16:24

Autoritetet në Indi thanë sot se kanë ndaluar një person të dyshuar për një operacion sekret për ndërhyrje në zgjedhjen e radhës për krye-murgun tibetian Dalai Lama.

Qytetari kinez Charlie Peng besohet se ka paguar rryshfet për rreth 100 murgj gjatë dy viteve të fundit duke akumuluar mbështetje që një “kandidat kinez” të pasojë Dalai Laman, thanë burime të qeverisë indiane. Pagesat raportohet se ishin bërë në para të thata.

Gjatë hetimeve autoritetet morën në pyetje murgjit në dy manastiret e Karnataka e Uttar Pradesh në lidhje me pagesat që kishin marrë.

Autoritetet kishin ngritur ndaj Peng akuzat për pastrim parash dhe për pagesa prej $2,700 deri në $4,000 për të spiunuar mbi Dalai Lama dhe për “infiltrim” në rrethin e tij të brendshëm.

Peng përshkruhej si një biznesmen me interesa në krahinën e Bengaluru, i cili ishte arrestuar më parë për mbajtjen e një pasaporte false indiane.

Dalai Lama i ri konsiderohet si mishërimi i pararendësit. Kërkimi për djalin e ri që do të bëhet Pasues kryhet nga priftërinjtë e lartë tibetianë dhe procesi mund të kërkojë disa vjet.

Dalai Lama aktual është 85 vjeçar dhe ka jetuar në Indi prej vitit 1959 kur u largua nga Tibeti pas një konflikti me autoritetet kineze.

FOTO GALERI
1/3
Dalai Lama aktual

Top Channel